Zvicra rrit buxhetin e mbrojtjes – 31 miliardë franga më shumë dhe rritje taksash nga viti 2028

Europë | 9 muaj më parë

Zvicra planifikon të ndajë edhe 31 miliardë franga shtesë për mbrojtjen dhe sigurinë, duke nisur nga viti 2028, në një kohë kur situata ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Për të mbuluar këto shpenzime, qeveria parashikon rritjen e taksës mbi shitjet për një periudhë dhjetëvjeçare. Vendimi u bë i ditur nga Këshilli Federal, i cili thekson se siguria e vendit duhet të forcohet. Autoritetet sqarojnë se shpenzimet ushtarake nuk pritet të kalojnë 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2032.

Sipas planit të ri financiar, taksa mbi shitjet do të rritet me 0.8 për qind duke filluar nga viti 2028. Qeveria vlerëson se bota është bërë më e paqëndrueshme dhe rendi ndërkombëtar po vihet në provë. Në të njëjtën linjë, shumë shtete evropiane kanë nisur të rrisin kapacitetet e tyre të mbrojtjes.

Zyrtarët zviceranë paralajmërojnë se lufta në Ukrainë, rivaliteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, si edhe tensionet në Lindjen e Mesme, shtojnë rreziqet për vendin. Kërcënimet përfshijnë spiunazhin, sulmet kibernetike dhe rrezikun e akteve terroriste. Qeveria pranon se planifikimi aktual financiar nuk pasqyron më rritjen e kostove të armëve.

Këto kosto janë shtuar si pasojë e inflacionit dhe kërkesës më të lartë në treg. Plani pritet të miratohet nga Kuvendi dhe më pas mund t’i nënshtrohet një referendumi, ndërsa investimet do të fokusohen edhe në teknologjinë e informacionit, sigurinë kibernetike, policinë dhe mbrojtjen kufitare.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme