Bardhi takon raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian: Shqetësim për bllokimin e opozitës në Kuvend

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, zhvilluan një takim me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri. Ata ngritën shqetësimi për mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë.
Përfaqësuesit e PD-së theksuan se ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në një praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë.
“Paraqitëm shqetësimi për mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë. Theksuam se ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë.
Në këtë kontekst, nënvizuam degradimin e rolit të Kuvendit, i cili po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.
Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, z. Andreas Schieder, u informua në mënyrë të detajuar mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit evropian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Evropian.
Në emër te Partisë Demokratike, konfirmuam angazhimin për mbrojtjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si parakushte themelore për rrugën evropiane të Shqipërisë”, shkruan ndër të tjera Bardhi.
Gjatë ditës së sotme edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u takua me raportuesin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, arritjet për vijimin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




