Rritja e sigurisë në godina, KLP: Të vendosen dy persona të sigurisë në çdo prokurori për të parandaluar rreziqet

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka shprehur mbështetje për qëndrimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) lidhur me forcimin e masave të sigurisë në gjykata dhe prokurori.
Gjatë një seancës dëgjimore në Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, përfaqësuesi i KLP-së theksoi se siguria nuk duhet të përqendrohet vetëm në gjykata, por të zgjerohet edhe në institucionet e prokurorisë, pasi edhe këto janë të rrezikuara, po ashtu si gjyqtarët.
“Jemi në mbështetje të qëndrimeve të bëra nga KLGJ dhe duam të theksojmë se siguria nuk duhet të forcohet vetëm në gjykata, por edhe në prokurori, pasi edhe ato janë të rrezikuara, po ashtu si gjyqtarët. Mendojmë se vendosja e shërbimeve policore në të gjitha prokuroritë, të paktën gjatë orarit të punës, është e nevojshme”, tha KLP.
KLP propozon vendosjen e dy personave të sigurisë, të mirëtrajnuar, në të gjitha prokuroritë, të paktën gjatë orarit të punës, për të garantuar një mjedis të sigurt për punonjësit dhe qytetarët. Aktualisht, siguria në këto institucione sigurohet nga shoqëri private të sigurisë, një situatë që KLP e konsideron të pa mjaftueshme për të siguruar rendin dhe sigurinë.
KLP gjithashtu sugjeron krijimin e ambienteve të veçanta për dorëzimin e sendeve, për të garantuar që asnjë objekt i rrezikshëm të mos hyjë në prokurori.
“Aktualisht, siguria në prokurori sigurohet nga shoqëritë e sigurisë si “Ilirian Guard”, por ne besojmë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe duhen forcuar më tej masat e sigurisë.
KLP mendon që duhet të vendosen dy persona të sigurisë në çdo prokurori, një mashkull dhe një femër, për të bërë kontrollin fizik të personave që hyjnë, sidomos kur ka dyshime për mbajtjen e sendeve të ndaluara. Duhet të krijohen ambiente të veçanta për dorëzimin e sendeve para se të hyjnë në zyrat e institucioneve. Këto kaseta sigurie kanë kosto ekonomike, por janë të domosdoshme për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë.
Personat përgjegjës për sigurinë në prokurori duhet të jenë të trajnuar mirë, pasi nuk mjafton që të jenë thjesht dy persona të pranishëm, por ata duhet të jenë të aftë të menaxhojnë situatat si ajo që ndodhi në Gjykatën e Apelit, me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja’, tha KLP.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




