Sondazhi me studentët: TikTok, platforma më e përdorur nga të rinjtë në Shqipëri
TikTok është platforma më e përdorur nga të rinjtë në Shqipëri. Një sondazh që përfshiu afro 700 studentë të nivelit bachelor tregon se ky rrjet social përdoret nga 47 përqind e tyre, i ndjekur nga Instagrami me 44 përqind.
Grafiku i këtij pyetësori, i zhvilluar online në muajin janar me të rinj nga të gjitha qarqet e vendit, tregon se shumica e tyre shpenzojnë tre ose më shumë orë në rrjetet sociale.
“Më shumë se gjysma shpenzojnë tre orë ose më shumë në rrjetet sociale. Ka edhe nga ata që shpenzojnë më shumë se pesë orë. TikTok është rrjeti social më i përdorur aktualisht nga studentët”, – tha Gevio Tabaku, hartues i sondazhit.
Pavarësisht ekspozimit të lartë në këto platforma, shumë prej të rinjve nuk e kuptojnë mirë termin dezinformim, duke u bërë pre e lajmeve të rreme dhe përhapjes masive të tyre.
“43 përqind e të rinjve nuk e njohin si term se çfarë do të thotë dezinformimi, gjë që i bën më pak të aftë për të dalluar kur një postim është i rremë, apo, më keq akoma, kur ky postim është krijuar për qëllime dashakeqe”, – nënvizoi ai.
Një ditë më parë, me vendim të Këshillit të Ministrave, qeveria rihapi aplikacionin TikTok, më pak se një vit nga mbyllja e tij në mars të vitit 2025.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




