Gratë moldave, histori suksesi- Nga kuzhina e shtëpisë në sipërmarrje moderne falë granteve të BE
Nga një kuzhinë e vogël shtëpie, në laboratorë modernë pastiçerie dhe linja prodhimi çokollate, gratë në Moldavi po shndërrohen në lidere të suksesshme të biznesit.
Diana Besliu e nisi ëndrrën e saj duke gatuar tortën e parë për djalin, por sot ajo drejton një sipërmarrje me 14 punonjës në qytetin Ungheni. Suksesi i saj u mbështet fort nga tre grante europiane me vlerë 28 mijë euro, të cilat i shërbyen për të blerë pajisje profesionale dhe frigoriferë.
Për Dianën, ky investim nuk ishte thjesht financiar, por një mundësi për të fituar pavarësi dhe për të thyer muret e një shoqërie patriarkale. Rrugëtimin e saj e ndjek edhe Liza Dulgheru, e cila prodhon çokollata ushqyese me mjaltë dhe arra falë një mbështetjeje prej 30 mijë eurosh nga Bashkimi Europian.
Liza tregon se përvoja e fituar gjatë një stazhi në Gjermani e ndihmoi të ndërtonte një plan biznesi të qëndrueshëm që sot po lulëzon në vendlindje. Përveç parave, këto sipërmarrëse kanë përfituar trajnime të vazhdueshme për të mësuar sekretet e menaxhimit dhe rritjes së bizneseve.
Rajoni i Unghenit në Moldavi është kthyer në një vatër zhvillimi ku mbi 80 ndërmarrje të vogla kanë përfituar financime direkte për projekte sociale dhe bujqësore.
Këto histori suksesi janë dëshmia e gjallë se me mbështetjen e duhur, gratë mund të shndërrojnë pasionet e tyre në motorë të rëndësishëm ekonomikë.
Kështu, dëshira për progres dhe mbështetja europiane po ndryshojnë rrënjësisht realitetin e familjeue dhe komuniteteue në të gjithë Moldavinë.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




