AKU bllokon mbi 75 kg mish derri në tregun e Milotit, ekspertët Pilku dhe Lamaj: Pa gjurmueshmëri, kthehet në rrezik për shëndetin
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar mbi 75 kilogramë mish derri në tregun e Milotit, pas një kontrolli ku u konstatuan shkelje të rënda të sigurisë ushqimore. Sipas AKU-së, mishi ishte pa vulë identifikimi, pa faturë tatimore dhe po tregtohej në kushte të papërshtatshme për konsum, duke përbërë një rrezik real për shëndetin e qytetarëve.
Eksperti i sigurisë ushqimore, Ilir Pilku, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, theksoi se duhet bërë dallimi mes sigurisë ushqimore, standardit dhe cilësisë.
“Janë dy gjëra të ndryshme: siguria ushqimore dhe standardi apo cilësia. Në rastin konkret flasim për standardin dhe kushtet e sigurisë në të cilat këto produkte tregtoheshin në një treg pothuajse shekullor, siç është tregu i Milotit. Ky është një nga problemet kryesore”, u shpreh Pilku.
Ai shtoi se Shqipëria prodhon produkte të mira, por shpesh neglizhohet standardi. “Elementi kryesor i sigurisë ushqimore është gjurmueshmëria. Kjo është çështja që merr vlerë në rastin konkret në Milot. Nuk diskutojmë se çfarë mishi tregtohet, por nëse ai është i sigurt për konsumatorin, pasi i mungon gjurmueshmëria“, tha Pilku, duke theksuar se ky problem është i njohur prej kohësh në këtë zonë, e cila tradicionalisht merret me rritjen e derrit dhe përdor tregun e Milotit për tregtim.
Sipas tij, në 10 vitet e fundit ka pasur një ndryshim rrënjësor në mënyrën e tregtimit të mishit dhe trajtimit të kafshëve. “Sot, në çdo qark ka thertore të licencuara dhe mund të ketë edhe thertore brenda fermave, të cilat janë të lejueshme. Çdo subjekt që tregton mish në pakicë është i detyruar ta çojë bagëtinë për therje në një pikë të licencuar, ku kontrollohet nga veterineri, vendoset vula dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës”, theksoi ai.
Ndërkohë, veterineri Shemsho Lamaj u shpreh se një produkt i quajtur “bio” nuk është domosdoshmërisht i sigurt për konsum. “Paraprakisht kërkohen kontrolle dhe konfirmime veterinare për të qenë i sigurt që produkti mund të dalë në treg. Nëse produkti nuk kalon zinxhirin e sigurisë ushqimore, nuk theret në thertore, nuk merr vulën dhe konfirmimin veterinar, atëherë nuk mund të konsiderohet i sigurt për konsumatorin”, tha Lamaj.
Sipas tij, kontrolli veterinar përfshin disa hallka, por mjeku veteriner ka rolin kyç në garantimin e një produkti sa më të sigurt në treg. Ai shtoi se siguria ushqimore në vend përballet ende me probleme të mëdha, që lidhen me infrastrukturën, mungesën e specialistëve, mjekëve veterinerë dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore.
“Nëse produkti nuk kalon në zinxhirin e sigurisë ushqimore, në thertore të marrë vulën, konfirmim veterinar, atëhherë ky produkt bëhet i konsumueshëm dhe i sigurt për konsumatorin. Kontrolli veterinar përmban shumë hallka, por mjeku veteriner ka rolin kyç për të pasur një produkt sa më të sigurt në treg. Siguria ushqimore sot ka problemet e saj të mëdha, që nga infrastruktura e specialistëve, e mjekëve veterinerë, gjurmueshmëria, etj”, deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




