Rritja e pagave për zjarrfikësit, Rama: Forcojmë kapacitetet e këtij shërbimi
Në rubrikën e tij të përjavshme “Shënimet e Javës” në podkastin Flasim, Kryeministri Edi Rama njoftoi vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, duke e cilësuar si një mesazh të qartë vlerësimi për një shërbim gjithmonë e më jetik.
Në nisje të podkastit, Rama deklaroi se, “Paga për gradë është rritur si rezultat i indeksimit për të gjitha gradat, por edhe si rezultat i një rritje shtesë për disa funksione sipas politikës së re të pagave. Për asistent zjarrfikës, zjarrfikës, kryezjarrfikës, nënkomisar zjarrfikës dhe komisar zjarrfikës, ka një rritje shtesë të pagës përtej indeksimit. Dhe kostoja financiare për këtë vit do të përballohet nga buxheti i miratuar i institucioneve përkatëse dhe për pushtetin vendor nga fondet e transferuara nga buxheti i shtetit tek arkat e vetë bashkive.”
Kryeministri theksoi se ky është një vendim i planifikuar dhe i integruar në sistemin buxhetor.
“Është një mesazh i qartë, ku vlerësohet një shërbim gjithmonë e më jetik, lidhur me sigurinë e jetës dhe me mbrojtjen e pronës. Zjarrfikësit janë ndër të parët që shkojnë aty ku rreziku është krejt real dhe e përsëris, në një kohë kur zjarret janë një fenomen, me sa duket, i pandalshëm dhe në zgjerim në rang global.”
Ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të forcojë kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore të këtij shërbimi.
“Qeveria do të vazhdojë të përkushtohet jo vetëm tek kapacitetet teknike, por edhe tek burimet njerëzore dhe dinjiteti i të gjithë atyre që në uniformën e zjarrfikësit bëjnë heroizma.”
Ky vendim, sipas Ramës, është një hap i rëndësishëm për të rritur motivimin dhe për të garantuar mbështetje të strukturuar për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, i cili ka rol kyç në sigurinë e qytetarëve dhe pronës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




