Qendra Spitalore ‘Shefqet Ndroqi’ pajiset me kartën e Autonomisë Menaxheriale – Rama: Rrit cilësinë e kujdesit spitalor

Sociale | 9 muaj më parë

Qendra Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” është pajisur sot me kartën e Autonomisë Menaxheriale, duke u bërë pjesë e reformës spitalore që synon rritjen e efikasitetit, përmirësimin e aksesit për qytetarët dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Në videon e bërë publike nga kryeministri Edi Rama, bëhët e ditur se, numri i spitaleve shqiptare që gëzojnë statusin e autonomisë arrin në 12, duke vendosur qytetarin në qendër të shërbimit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, teksa inspekton nga afër spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe zhvillon takime me stafin mjekësor e drejtuesit e institucionit, thekson rëndësinë e këtij hapi si pjesë e reformës spitalore, duke e cilësuar autonominë menaxheriale si një proces që rrit kapacitetet e burimeve njerëzore, cilësinë e shërbimit dhe shumëllojshmërinë e trajtimeve për pacientët.

Ministrja Sala e cilësoi ditën si një moment të shënuar për sistemin shëndetësor shqiptar. Ajo theksoi se marrja e kartës së Autonomisë Menaxheriale është rezultat i punës së ekipit drejtues dhe gjithë personelit të spitalit.

“Autonomia është një nga prioritetet e mia, sepse është pjesë e reformës spitalore që kemi nisur, për të ofruar një shërbim cilësor dhe të menaxhuar mirë për pacientët. Ky është hapi i parë drejt autonomisë financiare,” u shpreh ministrja, duke shtuar se ky proces sjell risi të rëndësishme si rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, përmirësimi i cilësisë dhe shumëllojshmëria e shërbimeve për qytetarët.

Në këtë kuadër, ajo theksoi se,  “Shefqet Ndroqi” mbetet unik në Shqipëri për shërbime të specializuara si pneumologjia dhe kirurgjia torakale.

Drejtoresha e spitalit, Elisaveta Treskau, prezantoi projektin e ri që parashikon ndërtimin e një godine moderne me salla të veçanta operacioni dhe një reanimacion krejtësisht të ri, i cili do të lidhet me spitalin aktual përmes një ure funksionale.

Sipas saj, vetëm gjatë vitit 2025 në këtë spital janë kryer 420 operacione, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve dhe rëndësinë e investimeve të reja.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme