Gonzato intervistë për DW: SPAK po jep rezultate, sulmet ndaj prokurorëve janë shqetësuese

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka vlerësuar punën e SPAK-ut, duke e cilësuar atë një institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe një element thelbësor në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Gonzato u shpreh se SPAK “po bën një punë shumë të rëndësishme”.
“Nuk shohim asnjë pengesë për thirrjen dhe hetimin e politikanëve të rangut të lartë. Mendoj se ky është një element i rëndësishëm për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë. Është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim. Ne mendojmë se duhet bërë më shumë për anën parandaluese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksoi Gonzato.
Ambasadori i BE-së u ndal edhe tek debatet politike dhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë. Ai theksoi se Bashkimi Europian i ndjek me shqetësim sulmet ndaj gjyqësorit dhe çdo ndërhyrje politike në punën e tij.
“Ajo që është e sigurt është se ne kemi shprehur vazhdimisht në raportet tona vjetore shqetësimin tonë në lidhje me sulmet kundër gjyqësorit. Ne kemi thënë se, në të vërtetë, gjyqësori dhe sistemi gjyqësor janë bërë më të qëndrueshëm ndaj këtyre sulmeve, edhe sepse është një sistem i pavarur. Por, megjithatë, mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë”, tha ai.
Një koment ai dha edhe për nismën e socialistëve në Parlament mbi ndryshimete Kodit të Procedurës Penale mbi masën e pezullimit.
“Ne po e ndjekim nga afër këtë ndryshim, që është neni që i lejon një gjykate të pezullojë një zyrtar publik që është nën hetim. Sepse çdo gjë që lidhet me sundimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë është diçka që ne e ndjekim nga afër dhe e vlerësojmë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet kandidate”, nënvizoi ai.
Në fund, ambasadori i BE-së pati një thirrje për bashkëpunim politik, duke theksuar se shumica duhet t’i japë hapësirë opozitës për të luajtur rolin e saj, ndërsa opozita duhet të veprojë në mënyrë konstruktive.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




