Tabaku në protestën e PD: Bashkimi i opozitës në një front të gjerë, rruga e vetme për Shqipërinë

Politikë | 8 muaj më parë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka mbajtur fjalën në protestën e PD-së para kryeministrisë. Ajo kujtoi rrëzimin e monumentit të diktatorit 35 vite më parë “si një moment historik për lirinë e shqiptarëve”.

“Rrëzimi i monumentit të diktatorit 35 vite më parë, ishte çasti  kthesës së madhe në historinë tonë. Ky ishte triumf i një të vërtete të madhe të historisë, të gjithë diktatorët bien, rrëzohen në këmbët e njerëzve të lirë. Liria triumfon gjithmonë. 35 vite më pas, ne jemi në shesh, përballë një autokrati të lindur, ku pakica sundon mbi shumicën. Një qeverisje që braktis qytetarët e saj. Sot Shqipëria është një republikë ku të korruptuarit bëjmë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo është ajo që Edi Rama ka ndërtuar, ku bizneset luftojnë për mbijetesë, ku familjet e thjeshta numërojnë qindarkat, po shtyp shtresën e mesme”, tha Tabaku.

 Deputetja bëri thirrje për bashkimin e një fronti të gjerë opozitar.

“Kjo nuk është një betejë partiake, por betejë për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve, për drejtësinë e barabartë. Në këtë përvjetor ne duhet të jemi më të fortë se kurrë. Brenda forcave tona opozitare ka pasur debate edhe që na kanë ndarë, por sot duhet ta shohim njëri-tjetrin me bindje të plotë dhe t’i themi se ato që na ndajnë nuk janë kurrë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveçse bashkimit bashkë në një front të gjerë”, theksoi Tabaku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme