Pas 4 ditësh bllokim në Qafë-Thanë, kamionët do kalojnë nga Bllata. Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni, ja rrugët e reja alternative

Pas 4 ditësh pritje, kamionët e tonazheve të rënda të bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës kanë nisur lëvizjen. Burime zyrtare pranë Doganës së Qafë-Thanës konfirmojnë se ka filluar lëvizja e mjeteve drejt Maqedonisë së Veriut, për të vijuar më pas drejt pikës së kalimit kufitar të Bllatës. Të gjithë kamionët që ndodheshin në radhë në këtë pikë kishin si destinacion final Tiranën dhe zonat përreth.
Zgjidhja erdhi pas një marrëveshjeje mes autoriteteve shqiptare dhe atyre maqedonase, sipas së cilës të gjitha mjetet e tonazheve të rënda që hyjnë në Shqipëri nga drejtimi i Turqisë dhe Greqisë do të kalojnë nga pika kufitare e Bllatës në Dibër.
Ndërkohë, për kamionët që hyjnë nga pika e Kapshticës, rruga alternative e përdorur është Korçë – Ersekë – Leskovik – Përmet e më pas drejt destinacioneve të tyre finale. Automjetet e vogla dhe të lehta vazhdojnë të qarkullojnë normalisht në aksin Maliq – Moglicë – Gramsh – Elbasan.
Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm patrullat dhe praninë në të dy akset kryesore alternative, ku fluksi i lëvizjeve është rritur ndjeshëm ditët e fundit.
Kjo masë vjen si zgjidhje emergjente pas bllokimit të aksit kryesor Librazh-Pogradec.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




