Rivlerësimi i pasurive 2026, si të përfitoni nga tatimi 5%, rregullat dhe tarifat e reja

Ekonomi | 8 muaj më parë

Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) kanë publikuar udhëzimin zyrtar që i hap rrugë procesit të shumëpritur të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Qytetarët dhe bizneset kanë afat deri më 31 dhjetor 2026 për të përditësuar vlerën e pronave të tyre (shtëpi, troje apo objekte biznesi) me vlerën aktuale të tregut, duke paguar një tatim lehtësues prej vetëm 5%.

Ky proces është një mundësi e mirë për këdo që planifikon të shesë pronën në të ardhmen, pasi shmang pagesën e tatimit standard prej 15% mbi fitimin kapital.

Detajet kryesore se si do të funksionojë skema e re

Çdo qytetar që ka një pronë të regjistruar ose që e regjistron atë brenda këtij viti, mund të zgjedhë dy mënyra për ta rivlerësuar:

Përmes kadastrës (ASHK)

Vlera e re llogaritet bazuar në çmimet minimale fiskale (çmimet e referencës) të zonës ku ndodhet prona, duke i zbritur 1% për çdo vit vjetërsie të ndërtesës (por jo më shumë se 30% zbritje në total).

Përmes një eksperti të licencuar

Prona vlerësohet me çmimin real të tregut nga një ekspert i pavarur. Ky çmim nuk mund të jetë asnjëherë më i ulët se çmimi minimal fiskal i shtetit.

Në të dyja rastet, qytetari do të paguajë 5% të diferencës mes vlerës së re dhe vlerës së vjetër me të cilën ishte regjistruar prona fillimisht.

Aplikimi vetëm online dhe tarifat e shërbimit

E gjithë procedura e aplikimit do të kryhet elektronikisht përmes portalit e-Albania. Pasi qytetari plotëson të dhënat dhe ngarkon dokumentet e pronësisë, Kadastra ka 2 ditë kohë për të gjeneruar faturën e pagesës.

Përveç tatimit 5%, qytetarët do të paguajnë edhe një tarifë shërbimi shtetërore, e cila është e ndarë në tri fasha:

3,500 lekë (nëse tatimi 5% llogaritet deri në 150,000 lekë)

7,000 lekë (nëse tatimi 5% llogaritet nga 150,001 deri në 300,000 lekë)

10,000 lekë (nëse tatimi 5% e kalon vlerën e 300,000 lekëve)

Pasi të kryhet pagesa në bankë, Kadastra ka 5 ditë kohë për të pasqyruar vlerën e re në regjistrat e pasurive.

Rregullat për bizneset

Edhe personat juridikë mund të përfitojnë nga ky ligj për të rritur vlerën e aseteve të tyre. Bizneset mund të rivlerësojnë pronat që i kanë të regjistruara në pasqyrat financiare të vitit 2025 me vlerë më të vogël se tregu.

Për kompanitë, procesi bëhet detyrimisht përmes një eksperti të pavarur. Pagesa prej 5% e diferencës midis vlerës së re dhe vlerës kontabël do të derdhet në llogaritë e thesarit të shtetit, ndërsa dokumentacioni dorëzohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, jo në Kadastër.

Afatet

Procesi mbyllet në fund të vitit 2026. Megjithatë, ligji parashikon se nëse qytetari e ka bërë aplikimin në e-Albania brenda datës 31 dhjetor 2026, por dosja është vonuar, atij i jepet kohë ta paguajë tatimin deri më 31 mars 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme