Rama: Do pres raportin e Këshillit të Mandateve për Ballukun. S’mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve në lidhje me rastin e zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Rama tregoi edhe arsyen se përse e ka refuzuar 3 herë dorëheqjen e Ballukut, teksa argumentoi se Shqipëria ndodhet në një fazë “revolucionare” të jetës institucionale, ku drejtësia sapo ka nisur të shijojë pavarësinë e saj, dhe sipas tij, nuk mund të hyhet në “vallen e dorëheqjeve automatike” sa herë ngrihet një akuzë.
“Nuk do merrem me procesin që ka nisur në Kuvend se do pres raportin e Këshillit të Mandateve. Por dua të ndaj me ju, diçka që e kam thënë pa praninë e publikut. Belinda Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë, qysh në mbrëmjen e ditës kur u ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion. Akuza nuk është për korrupsion, nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edh enjë herë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. E kam hedhur unë poshtë kategorikisht dorëheqjen. Unë kam bindjen që në këtë fazë revolucionare të jetës institucionale të vendit, ku ndryshe nga vendet me institucionet e konsoliduara, në Shqipëria drejtësia sapo ka nisur ta shijojë drejtësinë, ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë, por duhet të bëjmë secili punën e vet”, tha Rama.
Ai pranoi se e njeh teorinë e dorëheqjes morale që praktikohet në disa vende europiane, por theksoi se realiteti shqiptar është i ndryshëm.
“E di edhe teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, e cila megjithatë nuk praktikohet kudo dhe kurdoherë njëlloj edhe në Europë, por sot në Shqipëri, kur sidomos përmes SPAK drejtësia ka filluar të bëjë një shërbim të pamohueshëm për vendin, por edhe dëm serioz kolateral me administratën duke përmbysur parimin e shenjtë të prezumimit të pafajësisë, mekanizmi i qeverisës së vendit nuk mund të kurdiset dhe çkurdiset sa herë prokuroria ngre një akuzë, nuk bëhet dot”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




