Vendimi i qeverisë/ Indeksohen pagat e ushtarakëve me 2.5%, efekti financiar nga 1 janari 2026

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për indeksimin me 2.5% të pagës bazë sipas gradës dhe të pagës për tituj akademikë apo grada shkencore për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Vendimi ndryshon disa dispozita të aktit nr. 420, datë 26.06.2024, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë”, duke zëvendësuar tabelat përkatëse të pagave dhe shtesave.
Sipas përcaktimeve të reja, paga bazë dhe shtesat për tituj akademikë/gradë shkencore do të rriten me 2.5%, në kuadër të përditësimit të trajtimit financiar të personelit ushtarak.
Efektet financiare për vitin 2026, që lidhen me paga dhe kontribute për sigurime shoqërore e shëndetësore, do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, sipas ligjit për buxhetin e vitit 2026.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të ketë efekt që nga 1 janari 2026.
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.420, DATË 26.6.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGË DHE SHTESA MBI PAGË TË USHTARAKËVE AKTIVË TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të nenit 20, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Lidhjet nr.1 dhe nr.2, të vendimit nr.420, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat e elementit “pagë bazë për gradë”, në lidhjen nr.1, si dhe vlerat e elementit “pagë për titull akademik/gradë shkencore/kualifikim shkencor”, në lidhjen nr.2, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore, për vitin 2026, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”.
4. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



