“Fol si në shtëpi”- Edhe Ballkani së shpejti me tarifa komunikimi evropiane
Pas “Fol si në shtëpi” në Ballkan, vendet e rajonit po marrin mundësinë ta fitojnë lehtësinë edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Ka qenë Komisioni Evropian që ka propozuar hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i përfshirë në këtë regjim që heq tarifat shtesë të roaming-ut.
“Kjo nisëm shkon përtej, jo vetëm për reduktimin e tarifave, por aplikimit të tarifave njësoj si për qytetarët e BE-së, ashtu edhe për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Është në koordinim të drejtpërdrejtë me programe të ndryshme që BE-ja ka për Ballkanin, siç është Erasmus plus, pra të rinjtë dhe profesorët që udhëtojnë mund të udhëtojnë më lehtësisht pa pasur problem komunikimin. Duke pasur parasysh Ukrainën dhe Moldavinë që ka zgjatur 1- 2 vite besoj ky do të jetë rasti në nivel kombëtar.”, thotë Lutjona Lula, Drejtore e Erasmus Tirana.
Nëpërmjet këtij vendimi, qytetarët dhe bizneset do të mund të telefonojnë, të dërgojnë mesazhe dhe të lundrojnë në internet si brenda BE-së, ashtu edhe në rajon, duke paguar vetëm tarifat vendase.
“Është hap i nevojshëm për ta bërë jo vetëm qytetarin shqiptar por të gjithë Ballkanin të ndihen se çdo të thotë të jesh qytetar evropian. Me përfitime direkte që çdo qytetar evropian ka duke qenë pjesë e Bashkimit Evropian.”, tha më tej Lutjona Lula, Drejtore e Erasmus Tirana.
Marrëveshjet do të negociohen në mënyrë dypalëshe me secilin shtet, menjëherë sapo Këshilli të japë autorizimin përkatës.
“Nevojitet një aspekt teknik që të fillohen negociatat jo vetëm me qeveritë por edhe me kompanitë. Më pas do të jenë kompanitë nën vëzhgim, jo vetëm në Shqipëri si AKEP-i por dhe trupa të tjera si në Ballkan ashtu edhe në Evropë.”, nëvizoi Lula.
Nisma është pjesë e Planit të Rritjes 2023 dhe synon integrimin gradual të rajonit në Tregun e Vetëm Evropian, përpara anëtarësimit të plotë.
Gazetare: Entela Komino
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




