Shkrumbohen nga flakët dy automjete në Vlorë, policia nis hetimet, sekuestron pamjet e kamerave të sigurisë

Aktualitet | 8 muaj më parë

Dy automjete janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Skelës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur banorët e lagjes kanë konstatuar zjarrin në një automjet tip Mercedes, i cili kishte marrë flakë në pjesën e përparme, në zonën e motorit.

Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi dhe kanë përfshirë edhe një automjet tjetër tip BMW, i cili ndodhej i parkuar pranë mjetit.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakeve. Megjithatë, të dy mjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe Policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të zjarrit. Uniformat blu kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe ambienteve përreth, me qëllim identifikimin e shkakut që çoi në djegien e dy automjeteve.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për zjarr aksidental apo të qëllimshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme