Hapet rruga Librazhd-Pogradec, Kozeli-drejtuesve të mjeteve të rënda: Respektoni kufirin 8.2 ton. Nisim shkresën për aksin alternativ
Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, njoftoi hapjen e rrugës Librazhd-Pogradec, ndërsa shtoi se testimet e kryera në kushte laboratorike dhe me mjete të rënda nuk kanë evidentuar asnjë problem që mund të shqetësojë sigurinë e qarkullimit.
“Ne kemi bërë testimin me mjete laboratorike dhe duke u testuar edhe me mjete të rënda. Nuk ka asnjë lloj çedimi apo shfaqje që të na shqetësojë. Rruga do të hapet në kohën më të shpejtë të mundshme. Në 10 ditët e fundit është bërë një volum pune i jashtëzakonshëm”, tha Kozeli.
Drejtori i ARRSH u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë që të respektojnë kufirin maksimal prej 8.2 ton për aks. Ai theksoi se shkelja e këtij kufiri mund të shkaktojë dëmtime dhe gropa që do ta vështirësojnë qarkullimin.
“Rruga do të jetë e hapur për të gjithë mjetet, por dua të bëj thirrje drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë që të respektojnë peshën e tyre në aks. Në momentin që kjo peshë tejkalohet mund të krijohen probleme në rrugë, gropa që do të vështirësojnë kalimin”, tha ai.
Kozeli theksoi se do të ndiqen nga afër të gjitha institucionet përkatëse për të adresuar çdo problem që mund të lindë gjatë qarkullimit.
Sa i përket segmentit alternativ prej 1.3 km, drejtori bëri me dije se punimet do të fillojnë menjëherë dhe do të zgjasin të paktën 60 ditë, duke pasur parasysh edhe kushtet e motit që mund të ndikojnë në ritmin e punimeve.
“Do fillojmë shkresën nga dita e sotme për të vijuar me fillimin e punimeve. Ky aks do të kërkojë minimumi 60 ditë, pasi do të varet edhe nga kushtet e motit që ndikojnë në ritmin e punimeve”, përfundoi Kozeli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




