Rizbulohet pas dekadash piktura e humbur e Rembrandt

Kulturë | 8 muaj më parë

Një pikturë e humbur prej kohësh nga mjeshtri holandez Rembrandt është rizbuluar nga ekspertët, pas dekadash gjatë të cilave vendndodhja e saj ishte e panjohur. Vepra e vitit 1633, “Vizioni i Zakarias në Tempull”, ishte përjashtuar nga lista e punimeve të artistit në vitin 1960 dhe u zhduk nga qarkullimi pasi iu shit një koleksionisti privat një vit më vonë.

Piktura u rishfaq së fundmi kur pronarët e saj e paraqitën për ekzaminim në Rijksmuseum në Amsterdam. Muzeu ndërmori një analizë të detajuar dyvjeçare për të verifikuar autenticitetin e saj.

Drejtori i Rijksmuseum, Taco Dibbits, u shpreh i mahnitur nga forca artistike e veprës. “Kur e pashë në studion tonë gjatë restaurimit, u mahnita menjëherë nga fuqia e jashtëzakonshme që ka,” tha ai.

Sipas muzeut, konfirmimi i autenticitetit u arrit pas analizimit të pigmenteve, të cilat përputhen me ato që Rembrandt përdorte në atë periudhë, si dhe teknikës së pikturimit dhe ndërtimit të shtresave, të krahasueshme me veprat e tij të hershme.

Rembrandt ishte vetëm 27 vjeç kur realizoi këtë pikturë, e cila paraqet skenën biblike kur prifti Zakaria njoftohet nga Kryeengjëlli Gabriel se ai dhe bashkëshortja e tij do të bëhen prindër të Gjon Pagëzorit.

Vepra konsiderohet një nga të paktat piktura historike që Rembrandt realizoi gjatë asaj periudhe, kur ai ishte i fokusuar kryesisht në portrete, të cilat ishin shumë më fitimprurëse. Rizbulimi i saj përbën një moment të rëndësishëm për historinë e artit dhe për studiuesit e veprës së mjeshtrit holandez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme