Gjyqi ndaj grupit të Laert Haxhiut për vrasjen e Çajup Selimit, dëshmitari: I telefononte gruas sime. Nuk shkova në varrim, isha në polici

Aktualitet | 8 muaj më parë

Në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të grupit kriminal të Laert Haxhiut, para Gjykatës kanë dëshmuar disa shtetas të thirrur nga Prokuroria lidhur me ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasja e Çajup Selimit, e ndodhur më 1 qershor 2021.

Mes dëshmitarëve ishte edhe babai dhe vëllai i Erisiano dhe Bujar Abedinit, të dyshuar si pjesëmarrës në këtë ngjarje.

Një prej dëshmitarëve,sipas gazetares Flutura Tota, deklaroi se kishte dijeni për konfliktet e mëparshme me viktimën. Ai tregoi se në atë periudhë nëna e tij kishte qenë e shtruar në spital për 20 ditë dhe kishte ndërruar jetë më datë 12. Sipas tij, ai punonte me materiale ndërtimi në Tepelenë, ndërsa bashkëshortja e tij punonte në dyqan. Ai tha se Cajup Selimi shiste çimento pranë biznesit të tyre.

Dëshmitari pretendoi se mes tyre kishte pasur probleme, pasi, sipas tij, viktima i telefononte vazhdimisht bashkëshortes së tij në çdo orë të ditës dhe natës, si edhe i dërgonte mesazhe.

“Me Çajupin kemi pasur probleme, pasi i telefononte nuses sime në çdo orë të ditës dhe të natës. Ka pasur probleme edhe me djalin tim, janë rrahur. E kam marrë vesh rreth dy vite para vrasjes. Ai e pranonte se e telefononte gruan. Çajupi i dërgonte mesazhe dhe e përndiqte. Gruaja i thoshte të mos i binte më telefonit dhe të mos i shkruante më”, u shpreh ai para trupit gjykues.

Ai shtoi se dy vite para ngjarjes kishte marrë vesh për konfliktin, ndërsa pretendoi se edhe djali i tij ishte përfshirë në një përplasje fizike me viktimën.

Sipas dëshmisë, vëllai i tij, Bujari, nuk kishte qenë në dijeni të këtyre problemeve. Dëshmitari deklaroi gjithashtu se familja e tij ka një hotel në Ksamil, ku ka investuar së bashku me familjarët, duke marrë edhe kredi.

Ai tha se rreth orës 00:00 të natës kishte marrë vesh për vrasjen e Çajup Selimit dhe se lajmin e kishte konfirmuar më pas në polici. Sipas tij, djali ndodhej në Tiranë në atë periudhë, pasi bashkëshortja e tij kishte probleme shëndetësore, dhe ishte kthyer në Tepelenë disa ditë më vonë.

Dëshmitari deklaroi se nuk kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të viktimës, pasi ndodhej në polici në momentin kur zhvillohej varrimi.

“Banesa ime ndodhet në katin e dytë, ndërsa katin e parë e kisha biznes. Vëllai im, Bujari, nuk ka qenë në dijeni. Në Ksamil kemi një hotel, kam investuar unë bashkë me familjen. Më ka ndihmuar edhe motra dhe kam marrë kredi.

Rreth orës 00:00 të asaj nate mora vesh se kishin vrarë Çajupin. Kur shkova në polici e mora vesh. Djali im ishte në Tiranë, pasi nusja e tij kishte probleme, dhe ka ardhur në Tepelenë pas disa ditësh. Nuk shkova në varrimin e Cajupit, pasi isha në polici”, rrëfen ai më tej.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme