PL depoziton projektilgj për uljen e çmimit të karburanteve, Blushi: Synohet mbrojtja e buxhetit të familjeve shqiptare

Politikë | 8 muaj më parë

Partia e Lirisë, ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon pezullimin e përkohshëm të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për benzinën, gazoilin dhe biokarburantet deri në mars 2028.

Nisma i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe mban firmat e deputetëve Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho dhe Brunilda Haxhiu.

Sipas relacionit, projektligji vjen si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve, të ndikuara nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe krizat e mëparshme ndërkombëtare.

“Një propozim i tillë, nuk krijon problem në planin e të ardhurave të miratuar nga qeveria me ligjin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 pasi të ardhurat e realizuara në buxhet nga TVSH-ja janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten ndjeshëm si pasojë e rritjes në tërësi të çmimeve. Kjo nismë do të ndihmojë gjithashtu që konsumi i familjeve shqiptare dhe ecuria e biznesit të ketë qëndrueshmëri”, nënvizoi  Kryetari i grupit parlamentar, Tedi Blushi.

Partia e Lirisë argumenton se sipas tij mbi 60% e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksa dhe akciza, duke e bërë vendin me çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, ndërkohë që thotë që pagat dhe fuqia blerëse mbeten ndër më të ulëtat në Europë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme