20 vite në pistë për Lewis Hamilton, mesazhi i pilotit kampion: Jam ende i uritur!

Njëzet vite në Formula 1, një numër që peshon sa një karrierë e tërë. Në prag të Çmimit të Madh të Australisë, i pari për Botërorin 2026, Lewis Hamilton ka zgjedhur rrjetet sociale për të ndalur kohën dhe për të parë prapa.
Me një postim në Instagram, piloti anglez kujton fillimet e tij në Formula 1. “Është e vështirë ta kuptosh realitetin e atij numri, – shkruan 7 herë kampioni i botës. – Gjithçka nisi me një ëndërr, që disa e quanin qesharake dhe thoshin se nuk do të më çonte askund. Por ëndrra nuk ndryshoi kurrë dhe unë nuk hoqa dorë asnjëherë prej saj”.
Fjalë që tregojnë fillimin e një rrugëtimi që më pas u bë legjendar. Numrat flasin qartë: 7 tituj kampion bote, 105 fitore dhe 104 ‘pole position’. Statistika për record, që e kanë shenjtëruar mes më të mëdhenjve të të gjitha kohërave të Formula 1.
Në mesazhin e tij Hamilton shkon përtej shifrave: “Janë 20 vite me ngritje të pabesueshme dhe ulje brutale, me më shumë gabime nga sa mund të llogariten. Por ato gabime e kanë bërë udhëtimin edhe më të ëmbël”.
Piloti britanik i Ferrarit reflekton mbi sensin e përgjegjësisë dhe forcën e brendshme, që e ka shoqëruar që nga debutimi në Formula 1. “E ke në duar fatin tënd. E gjitha ajo që të duhet për të pasur sukses është brenda teje. Do të kesh nevojë për ndihmë gjatë rrugës, si unë, por ajo shkëndijë, ai zjarr, është brenda teje”, – shkruan më tej Hamilton.
Pastaj një mesazh për të rinjtë, por edhe për veten. Sepse e ardhmja mbetet një faqe e hapur. “Do të jem përjetësisht mirënjohës për mësimet, momentet e qetësisë, kaosin dhe personat e shumtë që më kanë ndihmuar të ndjek dhe të realizoj ëndrrat e mia. Jam mirënjohës edhe ndaj atyre që kanë dyshuar, madje dhe ndaj atyre që kanë dashur të më hedhin poshtë. Jam ende këtu, 20 vite më pas, ende në këmbë, ende i uritur dhe ende i përqendruar tek ëndrra. Pa u frenuar”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




