Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës përfundon sot. Konjufca kandidati i vetëm, opozita akuzon qeverinë për mungesë konsensusi

Kosovë | 8 muaj më parë

Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Deri më tani, është propozuar vetëm një kandidat, Glauk Konjufca, i cili ka marrë nënshkrimet e 30 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të grupit multietnik.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se procedura kërkon të paktën dy kandidatë me nga 30 nënshkrime secili për të thirrur seancën e zgjedhjes së presidentit.

“Mund të ketë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026, pra kemi më pak se 30 orë deri në përfundim të këtij afati që e bën situatën më urgjente. Ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që deri tani nuk kanë dhënë nënshkrimet të reflektojnë dhe ta shqyrtojnë mundësinë për propozimin e së paku një kandidati tjetër”, tha Haxhiu

Deri tani, partitë e tjera nuk kanë propozuar kandidatë, duke thelluar edhe më tej një krizë të re politike. PDK dhe LDK kanë reaguar ashpër duke akuzuar Vetëvendosjen për paaftësi dhe papërgjegjshmëri, duke paralajmëruar një krizë institucionale dhe mungesë konsensusi për zgjedhjen e presidentit.

Nëse nuk zgjidhet presidenti deri në përfundim të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme