“Mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme”, Drejtori i EBU Noel Curran: Jemi këtu për t’ju ndihmuar në procesin e transformimit të RTSH

Aktualitet | 8 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Unionit Europian të Transmetuesve Publikë (EBU), Noel Curran shpreh mbështetjen e fortë për Radio Televizionin Shqiptar në reformën e nisur institucionale si dhe për Drejtoreshën e Përgjithshme Eni Vasili.

Në një intervistë për gazetaren Sonila Agostini, Curran ndalet gjerësisht te gjithçka që po kalon RTSH aktualisht, por edhe te sfidat që e presin institucionin dhe transmetuesin publik në Shqipëri, duke ndarë shumëçka nga eksperienca e tij dhe e transmetuesve europianë.

Curran shprehu kënaqësinë për vizitën në RTSH dhe në Shqipëri teksa theksoi se një media publike e pavarur me shërbim të pavarur është pjesë jetësore për demokracinë.

“Qëllimi kryesor ishte para së gjithash të tregoj mbështetje për RTSH-në, e cila aktualisht po shqyrton një proces transformimi. Ju jeni mjaft të rëndësishëm mendoj për shoqërinë shqiptare. Një media publike e pavarur me shërbim të pavarur është pjesë jetësore për demokracinë kështu që jam këtu për të treguar mbështetjen për atë që po bëni.

Kam ardhur për të mbështetur atë që po bëni, analizimin e asaj që po ndodh, mënyrën sesi po i qaseni të ardhmes. Isha gjithashtu këtu për të takuar Këshillin tuaj Drejtues, drejtuesit tuaj, sikurse pata një takim edhe me Kryeministrin tuaj zotin Rama, takim shumë pozitiv. Një shkëmbim i hapur dhe i ndershëm idesh me të në lidhje me rëndësinë e shërbimit të medias publike dhe rreth së ardhmes së shërbimit të medias publike”, deklaroi Curran.

Ai tha më tej se media publike është shumë e rëndësishme për shoqërinë duke e vendosur në kontekst global, por edhe sepse iu ofron qytetarëve lajme të besueshme dhe të pavarura.

“Media publike është shumë e rëndësishme sot sepse gjithnjë e më shumë mediat po bëhen gjithnjë e më të polarizuara. Shpesh kemi një qëndrim në një anë dhe një qëndrim tjetër në anën tjetër. Ndërkohë që kemi një ndikim te madh ndërkombëtar, kryesisht amerikan, përmes platformave të mediave sociale. Në këtë kontekst kemi vërtet shumë nevojë të ruajmë kulturat kombëtare dhe t’u ofrojmë qytetarëve lajme të besueshme dhe të pavarura.

Edhe mediat sociale janë të rëndësishme nuk po them të kundërtën, por ka nevojë për diçka ndryshe për t’ia dhënë popullatës përkatëse, veçanërisht në këto kohë, përndryshe, rrezikojmë të përballemi me të njëjtën kulturë, të njëjtën qasje me keq-informim, me dezinformim apo informacion të pasaktë, lajme të cilave nuk mund t’i besosh. Kështu që, për mua, mbase më tepër së kurrë, media e shërbimit publik është tani vërtetë e rëndësishme”, tha Drejtori i EBU-së.

Curran theksoi edhe njëherë mbështetjen për Drejtoreshën e Përgjithshme të RTSH-së Eni Vasili, vlerësimin për punën e saj dhe procesin për transformimin e institucionit. Kreu i EBU-së tha se ka gjetur një ndërgjegjësim të nevojës për ndryshim dhe zhvillim.

“Mesazhi i parë që iu solla të gjithëve ishte se ne e mbështesim plotësisht Drejtoreshën e Përgjithshme. Besojmë se ajo po bën një punë shumë të mirë dhe po vendos një drejtim të ri për institucionin, dhe ne duam ta mbështesim në këtë proces.

Mesazhi tjetër që sollëm ishte se jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë rrugëtim. Jemi të këtu për t’ju ndihmuar në argumentimin e rolit tuaj, si në nivel kombëtar ashtu edhe në Bruksel, pasi marrëdhënia juaj me Brukselin dhe me Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme.

Dhe së treti, jemi këtu t’ju ndihmojmë në hartimin e procesit të transformimit dhe në çdo mënyrë të mundshme. Pra mesazhi ynë ishte qartësisht një mesazh mbështetjeje për drejtimin tuaj, për të mbështetur Këshillin tuaj dhe isha i lumtur të shikoja që ka një ndërgjegjësim të nevojës për ndryshim dhe zhvillim dhe që ka një linjëzim të mirë midis menaxhmentit dhe Këshillit në lidhje me këtë, si edhe nga pikëpamja politike, duhet të them”, theksoi Curran.

Ai ndau më tej edhe raportin e EBU-së për RTSH-në që prek fushat që duhet të shqyrtohen apo edhe hapat për të ardhmen.

“Ne kemi përgatitur një raport ku analizohen pikat e forta dhe dobësitë e RTSH-së dhe ku paraqiten disa drejtime të mundshme për të ardhmen.

Ky është fillimi i një procesi transformimi. Raporti identifikon fushat që duhet të shqyrtohen më nga afër dhe për t’ju ndihmuar për hapat e rrugës në të ardhmen, pra është një lloj vlerësimi dhe sugjerime fillestare për mënyrën se si mund të ecet përpara”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme