Albin Kurti: Pa thënë fjalën Kushtetuesja, nuk mund të flasim për zgjedhje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se pa thënë fjalën e saj Gjykata Kushtetuese nuk mund të ketë zgjedhje të reja.
“Ndodhemi në një situatë ku nuk besoj se mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesë para tyre. Ata kanë një materie, të cilën tash duhet ta trajtojnë”, theksoi Kurti në një konferencë për mediat në Kosovë.
Sipas Kurtit, deputetët që u zgjodhën për katër vjet në legjislaturën e dhjetë nuk i mbushën as katër javë të detyrës së tyre.
“Neni 86, paragrafi 6 i Kushtetutës parashikon se Kuvendi shpërndahet nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet president. Pra, asnjëri nga kandidatët nuk i merr 61 vota.
Ne nuk kemi mbërri atje. Dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as raundi i parë, e lëre më i tretë.
Nga formulimi i kësaj dispozite, pra neni 86 paragrafi 6, del qartë se shpërndarja e Kuvendit lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e procedurës së votimit. Pra, pasi të jenë zhvilluar tre raunde votimi dhe votimi i tretë të ketë dështuar për të zgjedhur presidentin. E mbrëmë ne vetëm sa filluam me raundin e parë, kurrsesi nuk jemi tek përfundimi i raundit të tretë”, deklaroi Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




