Botërori 2027 për vajza/Kosova, fitore e madhe ndaj Kroacisë

Kombëtarja e Kosovës për vajza ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në transfertë ndaj Kroacisë, duke triumfuar me rezultat 1:0 në Karlovac, në ndeshjen e Grupit 2 të Ligës C në kualifikueset për Kampionatin Botëror 2027.
Pas dy humbjeve ndaj Kroacisë në përballjet e vitit 2024 në kuadër të kualifikueseve për “Euro 2025”, Dardanet këtë herë arritën të triumfojnë ndaj ekipit që konsiderohet favorit i grupit.
Golin e vetëm dhe të fitores për Kosovën e realizoi Modesta Uka në minutën e 13-të, duke i dhënë ekipit të drejtuar nga trajneri Sami Sermaxhaj tri pikë shumë të rëndësishme në rrugën drejt përmbushjes së objektivit të këtij edicioni.
Me këtë fitore, Kosova ngjitet në krye të tabelës me 6 pikë, tri më shumë se Kroacia. Në ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues, e cila u zhvillua të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova arriti fitore bindëse ndaj Gjibraltarit, me rezultat 6:0.
Në vazhdim të kualifikueseve, Kosova më 14 prill do të përballet në udhëtim me Bullgarinë, ndërsa më 18 prill do ta presë këtë kundërshtar në shtëpi.
Cikli kualifikues do të mbyllet në muajin qershor, kur më 5 qershor Kosova do ta presë Kroacinë në Prishtinë, ndërsa më 9 qershor do të luajë në në transfertë ndaj Gjibraltarit.
Nga Liga C nuk sigurohet kualifikimi direkt në fazën finale të Botërorit, por skuadrat që përfundojnë në vendin e parë të grupeve, si dhe dy vendet e dyta më të mira, avancojnë në fazën “play-off”.
Në këtë fazë ato përballen me kombëtaret nga ligat më të larta në dy raunde të ‘play-off’-it për të synuar një vend në Kampionatin Botëror.
Ndërkohë, vendi i parë në grup i mundëson Kosovës të kalojë në Ligën B për edicionin e ardhshëm kualifikues.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




