“Balluku”/ Rama: Nuk e shpall të pafajshme, por nuk mohoj transformimet që ka bërë. Hetimi të shkojë deri në fund

Politikë | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar socialist mbi kërkesën e SPAK për dhënin e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e deputetes Belinda Balluku deklaroi se çështja ndaj saj lidhet me dyshime për “pabarazi në tendera publikë” dhe jo me akuza për korrupsion apo vjedhje.

Sipas Ramës, ndaj Ballukut është ngritur një akuzë që prej vitit të kaluar. Megjithatë, ai theksoi se hetimi duhet të vazhdojë dhe të shterohen të gjitha pistat.

“Ndaj saj është ngritur një akuzë që në vitin e shkuar, jo për vjedhje, jo për korrupsion, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres ka kryer veprën penale ‘pabarazi në tendera publikë’ 6 vite më parë, bazuar në disa SMS të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori. Në këtë fakt ende të pahetuar asokohe, por të servirur më parë përmes korrierësh në 700 tenxheret e gjyqit politik e mediatik, u vendos fillimisht në një turravrap të pakuptueshëm nga prokurori e gjykatësi i seancës paraprake pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar. Uroj që në hetimin e çështjes prokuroria të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni, sepse në fund të ditës gjithkush pas të 18-tave varet vetëm nga këmbët e veta. Unë si kryeministër s’e kam të mundur dhe as të lejuar, qoftë nga ligji e zakoni, t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori”, deklaroi ai.

Rama theksoi se nuk ka ndërmend ta shpallë Ballukun të pafajshme, por as të mohojë kontributin e saj në qeveri. Sipas tij, transformimet në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë kanë ardhur prej saj.

“Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel vijën e kuqe që e kam vizatuar përpara deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi dhe që vlen për të gjithë njëlloj. Nuk kam ndërmend as që në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha që ministrja ka bërë në 6 vite”, vijoi ai.

Kryeministri e cilësoi si të pajustifikuar vendimin për pezullimin nga detyra. Sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës.

“Masë absurde. Pezulloi funksionin, jo thjesht personin. Prandaj dhe nuk ka ndodhur kurrë dhe askund në botë një budallallëk i kësaj natyre”, tha ai.

Rama shtoi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar masën dhe për të shqyrtuar çështjen në themel, erdhi edhe kërkesa e re për arrestim. “Pastaj papritur fare, përpara përfundimit të procesit të hapur prej nesh në Gjykatën Kushtetuese për ndërhyrje të patolerueshme në kompetencat e ekzekutivit, sapo gjykata pezulloi masën e pezullimit dhe deklaroi se do t’i hynte çështjes në themel, erdhi turravrapi i dytë: kërkesa që diskutojmë sot”, deklaroi Rama.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është trajtuar çështja në opinionin publik.

“Thjesht njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe të bërë zakon nga grupet hetimore te stacioni i trenit, mjaftoi që ndaj Ballukut të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes”, tha kryeministri.

Rama theksoi se ndryshimet në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë lidhen me qeverisjen e Partisë Socialiste dhe me punën e Ballukut si ministre për disa vite. Ai shtoi se, Belinda Balluku do të vijojë angazhimin e saj politik në qarkun e Fierit.

“Dua t’u them shqiptarëve se ndryshimin epokal që vazhdon dhe do të vazhdojë në sektorin e infrastrukturës dhe energjetikës të vendit nuk e solli koha, as paratë, askush dhe asgjë tjetër, përpos votës së tyre për këtë parti, për qeverinë e kësaj partie ku bën pjesë edhe Belinda Balluku si anëtare e Kryesisë së PS, një prej njerëzve tanë më të votuar dhe që për 6 vite drejtoi këtë ministri duke luftuar pa rezervë dhe duke realizuar në sasi dhe cilësi objektivat e programit tonë qeverisës. Ajo do të drejtojë qarkun e Fierit. Ajo që di me siguri është se pak kush nga ne i mban kontaktet me territorin duke shkuar rregullisht në zonën që mbulon si drejtuese politike”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme