Rasti “Balluku”/ Tabaku në “Trialog”: Parlamenti u kthye në mburojë për korrupsionin, mbrojtja politike rrezikon integrimin në BE
Vendimi i mazhorancës socialiste për të mos i hapur rrugë heqjes së imunitetit për çështjen “Balluku” ka ngjallur reagime të ashpra nga opozita, e cila e sheh këtë lëvizje si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj reformës në drejtësi dhe rrugëtimit evropian të vendit.
E ftuar në panelin e emisionit “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit dhe përballë analistëve Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, bëri një skaner të situatës politike dhe juridike që rrethon këtë dosje.
Dosja prej 16 mijë faqesh dhe “raporti i dobët” i PS
Për deputeten demokrate, qëndrimi bllokues i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte një befasi, por një tregues i qartë i mungesës së vullnetit politik për të lejuar drejtësinë të veprojë. Tabaku e cilësoi raportin e hartuar nga socialistët në Këshillin e Mandateve si “një nga raportet më të dobëta të prodhuara ndonjëherë”.
Duke u ndalur te thelbi i hetimeve, Tabaku zbuloi detaje nga materialet e Prokurorisë së Posaçme:
“Te dosja prej 16 mijë faqesh shihen kërcënime ndaj stafit me të cilin ka punuar Balluku. Ajo i ka ushtruar funksionet e saj edhe kur çështja ishte në Kushtetuese. Masën e pezullimit nga SPAK fillimisht e kundërshtuan, ndërsa kërkesa për imunitetin erdhi më pas.”
Kryeministri mbi institucionet
Një pjesë e rëndësishme e analizës së Tabakut u fokusua te qasja e Kryeministrit Edi Rama ndaj pushteteve të pavarura. Ajo e konsideroi absurd përdorimin e Parlamentit si një mburojë për t’i shpëtuar zyrtarët e lartë nga përballja me ligjin.
“Nuk e konceptoj dot se si kryeministri mund të gjykojë mbi SPAK-un, Gjykatën Kushtetuese, KLSH-në dhe mbi çdo institucion tjetër. Më vjen keq që kolegët socialistë mbrojnë atë që deri dje e kritikonin,” theksoi ajo, duke shtuar se batutave të vjetra të kryeministrit u ka dalë boja dhe se tani kërkohen akte konkrete.
Rrezikohen Kapitujt 23 dhe 24 të BE-së
Përtej debatit të brendshëm, Tabaku ngriti një shqetësim që lidhet me pasojat ndërkombëtare të këtij vendimi. Sipas saj, ky akt mbrojtjeje ndaj korrupsionit ka vënë në alarm faktorin ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me Kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian, të cilët mbulojnë drejtësinë, shtetin e së drejtës dhe sigurinë.
Ajo bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes abuzimeve me tenderat dhe krimit ekonomik:
“Prokurimet publike janë kthyer në kanale për pastrimin e parave. Në momentin që erdhi kërkesa për imunitetin, do të duhej të vendosej nëse do të vazhdonim procesin e integrimit apo do të mbeteshim në vend. Shqipëria përfaqësohet nga ata që po i japin mbrojtje politike korrupsionit.”
Në përfundim, deputetja e PD-së apeloi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq ku duhet të zgjedhë përfundimisht drejtimin e saj: integrimin e vërtetë evropian apo mbrojtjen e pandëshkueshmërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




