“Në kohë reale“- Apeli i dhimbshëm i nënës nga Korça: S’kam asnjë qindarkë, shteti të më sjellë trupin e foshnjës që ta qaj në fshatin tim
Humbja e jetës së foshnjës 2-muajshe, Denis, ka marrë një tjetër rrjedhë pas dëshmisë së nënës së tij, Vjollca Shkëmbi. Mes dhimbjes dhe varfërisë ekstreme, ajo ka hedhur poshtë me forcë pretendimet e ngritura në opinionin publik dhe nga policia se fëmija i saj ndërroi jetë si pasojë e kequshqyerjes, duke drejtuar gishtin drejt sistemit shëndetësor.
Në një rrëfim ekskluziv për emisionin “Në kohë reale” në RTSH, e ëma e foshnjës shpjegoi kalvarin e vuajtjeve që nga lindja e parakohshme e të birit, neglizhencën e pretenduar mjekësore dhe pamundësinë financiare për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.
Sipas Shkëmbit, problemet e foshnjës nisën që në momentin e lindjes, e cila u krye me operacion dhe para kohe. Ajo pretendon se foshnja doli nga spitali pa u shëruar plotësisht.
“Për ndërrimin e jetës fajin e kanë doktorët. Ai lindi para kohe dhe me infeksion të rëndë në mushkëri, ndaj e dërguan menjëherë në Tiranë. Pasi qëndroi një muaj atje, e sollën në Korçë,” u shpreh ajo.
Nëna thekson se transferimi drejt Korçës u bë me justifikimin për t’i kursyer asaj shpenzimet e udhëtimit. Sipas saj, djali iu dorëzua në një gjendje jo të mirë shëndetësore.
Mohimi i kequshqyerjes dhe kushtet e mbijetesës
Shkëmbi jeton në kushte të vështira ekonomike, duke u mbajtur vetëm me një pagesë KEMP-i për shkak të problemeve të saj shëndetësore, ndërsa dy fëmijët e tjerë rriten nga gjyshja në fshatin Pojan. Megjithatë, ajo mohon kategorikisht zërat për neglizhencë në ushqim.
“Unë e ushqeja fëmijën me qumësht pluhur. Foshnja qëndroi me mua dy javë dhe jam kujdesur shumë për të. Nuk është e vërtetë çfarë thotë policia dhe njerëzit për kequshqyerje,” deklaroi ajo, duke theksuar se gjatë asaj kohe asnjë mjek nuk shkoi t’i vizitonte në banesë.
Kur gjendja e foshnjës u rëndua, ajo tregon se u detyrua të merrte para borxh për ta transportuar vetë drejt urgjencës së Bilishtit dhe më pas në Korçë, pasi nuk i ofruan ambulancë. Pasi mjekët në Korçë i hoqën shpresat për jetën e të birit, ajo refuzoi ta niste sërish drejt Tiranës.
Apeli tronditës: “Dua ta qaj në fshatin tim”
Pjesa më e dhimbshme e dëshmisë së nënës është pamundësia për të tërhequr trupin e fëmijës së saj të pajetë, i cili aktualisht ndodhet në morgun e Tiranës. E gjendur pa asnjë qindarkë, ajo i bën një thirrje të dëshpëruar shtetit:
“Fëmija është në Tiranë. Si nënë, dua të ma sjellin që ta qaj në fshatin tim. Nuk kam mundësi të shkoj ta marr, nuk kam asnjë qindarkë. I bëj thirrje shtetit të më sjellë foshnjën, që ta varros me duart e mia dhe të gjendet e drejta se përse fëmija im nuk jetoi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




