Gjykata Federale urdhëron rikthimin në punë të mbi 1,000 punonjësve të Zërit të Amerikës

Botë | 8 muaj më parë

Një gjykatës federal në SHBA ka urdhëruar rikthimin në punë të mbi 1,000 punonjësve të Zërit të Amerikës (VOA), pas vendimeve që cilësojnë si të paligjshme përpjekjet e administratës Trump për të çmontuar rrjetin dhe për të shkaktuar shkurtime masive të vendeve të punës.

Në dy vendime të ndara, gjykatësi Royce Lamberth vendosi se veprimet për të mbyllur operacionet e Agjencisë amerikane për Media Globale (USAGM) bien ndesh me ligjin federal. Ai urdhëroi që punonjësit të rikthehen në detyrë deri më 23 mars dhe kërkoi hartimin e një plani për rikthimin e VOA-s në transmetim.

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi Lamberth konstatoi se ish-drejtoresha e USAGM, Kari Lake, kishte drejtuar në mënyrë të paligjshme agjencinë, duke pushuar nga puna mbi 1,000 punonjës gjatë periudhës korrik–nëntor 2025. Lake ka njoftuar se do të apelojë vendimin.

Michael Abramowitz, ish-drejtor i VOA-s, e përshëndeti vendimin duke e cilësuar si të domosdoshëm për rikthimin e misionit të agjencisë.

Edhe ish-punonjëset Patsy Widakuswara, Jessica Jerreat dhe Kate Neeper e quajtën vendimin “monumental”, duke theksuar se tashmë do të mund të riparojnë dëmin e shkaktuar dhe të rindërtojnë besimin e audiencës globale.

Zëri i Amerikës, transmetuesi ndërkombëtar më i madh dhe më i vjetër në SHBA, ka qenë jashtë funksionit për një vit, ndërsa punonjësit kanë qenë në leje administrative të paguar.

Administrata Trump kishte udhëzuar drejtuesit e agjencisë që ta reduktonin atë në një “prani minimale”, duke synuar shkurtimin e financimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme