Norvegji, 7 vite burg djalit të princeshës – Prokuroria kërkon dënimin e Marius Hoiby për përdhunim dhe dhunë sistematike
Prokurorët në Norvegji kanë kërkuar një dënim me shtatë vite e shtatë muaj burg për Marius Borg Hoiby, djalin e princeshës së kurorës. Ai akuzohet për 39 vepra penale, ku peshën më të rëndë e mbajnë katër raste të ndryshme përdhunimi të kryera ndër vite.
Prokurori i çështjes u shpreh prerë në sallën e gjyqit duke thënë se “vëmendja e madhe mediatike nuk mund të shërbejë si arsye për të ulur dënimin e të pandehurit”. Sipas dosjes hetimore, ngjarjet nisin që nga viti 2018 në rezidencat mbretërore dhe vijojnë me dhunë e abuzime të përsëritura deri në vitin 2024. Megjithatë, djali i princeshës i ka mohuar kategorikisht akuzat për përdhunim, duke pranuar vetëm disa episode dhune sporadike.
Prokuroria këmbëngul se ai ka thyer rreth 1 mijë herë urdhrin e mbrojtjes, veprim ky që tregon sipas tyre mungesë të plotë reflektimi. Ekspertët ligjorë theksojnë se pasojat e këtyre krimeve janë afatgjata për viktimat, ndaj kërkohet që ndëshkimi të jetë maksimal dhe pa asnjë tolerim.
Tashmë e gjithë vëmendja është te mbrojtja e cila do të japë argumentet e fundit përpara se gjykata të japë vendimin që mund të ndryshojë fatin e trashëgimtarit mbretëror.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



