Metani takime me nxënës e mësues në Përmet e Këlcyrë: Edukimi ligjor nis nga shkolla

Aktualitet | 8 muaj më parë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i shoqëruar nga inspektorë dhe anëtarë të stafit të ILD-së, zhvilloi takime pune me nxënës dhe mësues të shkollave “Nonda Bulka” në Përmet dhe “Kamber Bënja” në Këlcyrë, në kuadër të strategjisë së komunikimit publik të institucionit për promovimin e edukimit ligjor.

Në shkollën “Nonda Bulka” në Përmet, nxënësit kishin përgatitur dhe paraqitën kazusin “Dilema të drejtësisë”, duke u përfshirë në një debat të strukturuar, të ndarë në dy skuadra, me argumente pro dhe kundër mbi rastin e trajtuar. Angazhimi dhe niveli i diskutimit u vlerësuan me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.

Gjatë komunikimit me nxënësit, si edhe me trupën arsimore të të dyja shkollave, Metani theksoi rëndësinë e edukimit ligjor të brezit të ri, si një mënyrë për formimin e qytetarëve të informuar dhe për rritjen e besimit të publikut te drejtësia.

Duke folur për traditën që ka krijuar ILD përmes bashkëpunimit me studentë dhe nxënës shkollash, ai tha se ndërveprime të tilla me institucione të drejtësisë duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Inspektori i Lartë i Drejtësisë vuri në dukje se shkollat janë vendi kur formohet shoqëria, që nesër do të jenë pjesë edhe e fushës së drejtësisë.

Drejtorët e shkollave falënderuan Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për përzgjedhjen e këtyre shkollave për këtë takim informues dhe e njohën Metanin dhe ekipin e tij me ecurinë e aktivitetit arsimor dhe traditën institucionale, e pasqyruar te muzeu i shkollës.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme