GJKKO kalon për gjykim dosjen e bujshme, akuzë për vrasje të paramenduar dhe grup kriminal për Brajoviqin, Rustemin dhe Bilalin

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot t’i hapë rrugë gjykimit të një prej dosjeve të rëndësishme të hetuara nga SPAK, atë të vitit 2019. Në bankën e të akuzuarve do të ulen katër persona, mes të cilëve Behar Brajoviq, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali, të cilët do të përballen me drejtësinë për vrasje me paramendim të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në seancën paraprake të zhvilluar këtë të enjte (19 Mars 2026), të drejtuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri, u pranua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme duke e konsideruar të vlefshëm dhe të mbështetur në prova fashikullin hetimor, gjë që i hap dritën jeshile procesit themelor gjyqësor.
Rolet dhe akuzat e rënda
Sipas vendimit të zbardhur nga Gjykata e Posaçme, tre prej të pandehurve kryesorë rëndojnë akuza të ashpra që lidhen me krime kundër jetës dhe armëmbajtje luftarake.
Behar Brajoviq akuzohet nga SPAK si drejtues i këtij grupi të strukturuar kriminal. Ai do të gjykohet për “Vrasje me paramendim” të kryer për hakmarrje në dëm të shtetasit me iniciale F.L., si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit”. Të gjitha këto vepra, sipas prokurorisë, janë kryer në formën e veçantë të grupit kriminal.
Safet Rustemi dhe Astmer Bilali akuzohen si pjesëmarrës në këtë grup të strukturuar kriminal. Ata do të përgjigjen para gjykatës për bashkëpunim në po të njëjtën ngjarje kriminale – vrasjen e paramenduar të shtetasit F.L. – dhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë, e pandehura e katërt në këtë procedim, shtetasja Eria Ago, akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjykata ka bërë me dije se ajo ka paraqitur një kërkesë për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar, kërkesë e cila është bërë tashmë pjesë e fashikullit të gjykimit.
Hapat e mëtejshëm proceduralë
Me përfundimin e seancës paraprake, dosja nuk kthehet më pas. Çështja do t’i kalojë menjëherë një trupi tjetër gjykues brenda GJKKO-së, të përbërë nga tre gjyqtarë, të cilët do të zhvillojnë shqyrtimin e themelit të provave të mbledhura prej vitit 2019.
Mbi vendimin e marrë sot nga gjyqtarja Ulliri për kalimin e çështjes për gjykim, Kodi i Procedurës Penale nuk lejon të drejtë ankimi, duke bërë që përballja e radhës për të pandehurit të jetë drejtpërdrejt seanca e parë e gjykimit në themel.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




