Diplomatët kufizojnë informacionin me Hungarinë, Tusk: Dyshojmë prej kohësh se informon Kremlinin

Botë | 7 muaj më parë

Bashkimi Evropian po kufizon rrjedhën e materialeve konfidenciale drejt Hungarisë, mes dyshimeve se qeveria e Viktor Orbán po ndan informacione të ndjeshme me Rusinë.

Këto shqetësime kanë bërë që udhëheqësit evropianë të takohen gjithnjë e më shpesh në formate më të vogla, duke shmangur mbledhjet e plota me të gjithë 27 vendet anëtare.

Sipas Politico ,kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se dyshimet për rrjedhjen e informacionit nga Budapesti në Kremlin kanë ekzistuar prej kohësh.

 “Lajmi se njerëzit e Orbán-it e informojnë Moskën për mbledhjet e Këshillit të BE-së nuk duhet të vijë si surprizë për askënd”, shkroi ai në platformën X, duke shtuar se kjo është arsyeja pse shpesh kufizon fjalën e tij në takime.

Raportet e fundit të Washington Post pretendojnë se qeveria hungareze ka mbajtur kontakte të ngushta me Moskën gjatë gjithë luftës në Ukrainë. Sipas burimeve, ministri i jashtëm hungarez Péter Szijjártó ka përdorur pushimet gjatë takimeve të BE-së për të informuar homologun e tij rus, Sergey Lavrov, mbi diskutimet dhe zgjidhjet e mundshme.

Këto dyshime kanë shtyrë disa vende anëtare të kufizojnë informacionin e ndarë kur Hungaria është e pranishme. Ish-ministri i jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se që në vitin 2024 ishte paralajmëruar për rrezikun e rrjedhjes së informacionit dhe se shpesh diplomatët flisnin vetëm në terma formalë, duke vazhduar diskutimet pa Hungarinë. Madje, para samitit të NATO-s në Vilnius në vitin 2023, delegacioni hungarez u përjashtua nga bisedimet më të ndjeshme.

Nga ana tjetër, zyrtarët hungarezë i kanë cilësuar këto raportime si “lajme të rreme”. Ministri për Evropën János Bóka tha se akuzat janë një reagim i dëshpëruar ndaj rritjes së mbështetjes për partinë Fidesz në fushatën zgjedhore. Edhe Szijjártó i hodhi poshtë pretendimet, duke akuzuar mediat perëndimore se po përhapin “teori konspirative” për të favorizuar opozitën hungareze, partinë Tisza, e cila kryeson në sondazhe tre javë para zgjedhjeve parlamentare.

Diplomatët evropianë paralajmërojnë se akuzat e reja mund të çojnë në klasifikimin e më shumë dokumenteve të BE-së, për të penguar rrjedhjen e informacionit tek palët e treta.

Marrëdhëniet mes Polonisë dhe Hungarisë mbeten të tensionuara, veçanërisht për shkak të bllokimit nga Budapesti të ndihmës së BE-së për Ukrainën dhe lidhjeve të ngushta të Hungarisë me Rusinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme