Dita Botërore e Meteorologjisë, Anira Gjoni në “Mirëmëngjes Shqipëri”: Vëzhgimi sot mbron të nesërmen
Dita Botërore e Meteorologjisë dhe rëndësia e shërbimeve meteorologjike për jetën e përditshme, ekonominë dhe sigurinë publike ishin në fokus të rubrikës së motit në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH. E ftuar ishte meteorologia Anira Gjoni, e cila foli si për domethënien e kësaj dite, ashtu edhe për kushtet atmosferike në ditët në vijim.
Gjatë bisedës, Gjoni shpjegoi se 23 marsi shënon hyrjen në fuqi të Konventës së vitit 1950 për themelimin e Organizatës Botërore të Meteorologjisë, një agjenci e rëndësishme e Kombeve të Bashkuara, që koordinon shkëmbimin global të të dhënave meteorologjike.
Sipas saj, slogani i këtij viti, “Të vëzhgojmë sot që të mbrojmë të nesërmen”, thekson rolin vendimtar të monitorimit në kohë reale për parashikimin e motit, rreziqeve natyrore dhe mbrojtjen e jetës, infrastrukturës, bujqësisë, energjisë dhe sektorëve të tjerë jetikë.
Meteorologia nënvizoi se moti, klima dhe uji nuk njohin kufij, ndaj bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i të dhënave janë thelbësore për të rritur saktësinë e parashikimeve dhe për të informuar në kohë autoritetet dhe publikun në rastet e fenomeneve ekstreme.
Ajo sqaroi se të dhënat satelitore janë të rëndësishme, por po aq të domosdoshme janë edhe matjet reale nga terreni, të mbledhura përmes stacioneve meteorologjike dhe hidrologjike, të cilat ndihmojnë në kalibrimin e modeleve parashikuese.
Në këtë kuadër, Gjoni vuri në dukje edhe rolin e Institutit të Gjeoshkencave, si pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, në monitorimin dhe kërkimin shkencor në fushën e meteorologjisë dhe hidrometeorologjisë.
Në pjesën e dytë të bisedës, ajo foli për motin në vend, duke paralajmëruar se kjo javë do të jetë nën ndikimin e një mase ajri të ftohtë me origjinë polare, e cila do të sjellë kushte të paqëndrueshme atmosferike në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të Europës.
Sipas parashikimit, gjatë ditëve në vijim do të ketë alternim vranësirash dhe kthjellimesh, të shoqëruara me reshje të dobëta shiu, ndërsa në zonat malore të veriut, lindjes dhe juglindjes, mbi 900 metra lartësi, priten edhe reshje dëbore.
Gjoni theksoi se reshjet në fillim të javës do të jenë të dobëta dhe lokale, ndërsa në fundjavë mund të ketë intensifikim të tyre në nivele mesatare, por pa sinjale për situata ekstreme.
Ajo shtoi se java e ardhshme pritet të sjellë mot më të qëndrueshëm dhe kushte më pranverore, pas një periudhe tranzitore tipike për muajin mars, i cili sipas meteorologëve mbetet një muaj kalimtar mes dimrit dhe pranverës.
Intervista në “Mirëmëngjes Shqipëri” solli kështu jo vetëm një pasqyrë të motit për ditët në vijim, por edhe një mesazh të qartë për rëndësinë e meteorologjisë si një shërbim strategjik, që ndikon në sigurinë, ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




