Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës- Altin Hajri dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm Altin Hajri, për vdekjen e Jan Prengës.
Vendimi lidhet me ngjarjen e ndodhur më 17 janar 2020 në Kamëz, ku Jan Prenga u rrëmbye dhe më pas u zhduk në një resort në pronësi të Hajrit.
Sipas vendimit të gjykatës, Hajri u shpall fajtor për veprat penale “Rrëmbimi apo mbajtja peng e personit” me pasojë vdekjen, “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Në bazë të këtyre akuzave, trupi gjykues vendosi dënimin përfundimtar me burgim të përjetshëm, ndërsa vuajtja e dënimit do të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë.
Njoftimi i plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Altin Hajri”. 2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Bib Ndreca dhe Gerd Hoxha, me vendimin nr. 24, datë 24.03.2026 vendosi: 1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Altin Hajri, për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi apo mbajtja peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 109 paragrafi 3 i Kodit Penal, dhe në lidhje me nenet 28 paragrafi 4 dhe 334 paragrafi 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Altin Hajri, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë i Kodit Penal, dhe në lidhje me nenet 28 paragrafi 4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vite burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Altin Hajri, për kryerjen e veprës penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomë” e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal, dhe në lidhje me nenet 28 paragrafi 4 dhe 334 paragrafi 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Altin Hajri, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi 2 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) vite burgim.
5. Në bazë të nenit 55 të K.Penal, mbi caktimin e dënimeve për kryerjen e disa veprave penale, dënimin e të pandehurit Altin Hajri me burgim të përjetshëm.
6. Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Altin Hajri në një burg të sigurisë së lartë, në respektim të nenit 16 pika 1, gërma “a” të Ligjit Nr. 81/2020 “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”.
7. Shpenzimet proceduriale të bëra gjatë hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurve që u shpallën fajtor në mënyrë solidare.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




