27 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, Nufi: Vendim i duhur që garantoi paqen dhe lirinë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një shënimi në rrjetet sociale ka kujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar si një moment historik jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për ndërgjegjen e botës demokratike.
“27 vite më parë, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shënoi një akt vendosmërie për të ndalur një tragjedi humanitare dhe për të mbrojtur dinjitetin njerëzor përballë një regjimi që kishte zgjedhur dhunën dhe shkatërrimin,” shkruan Nufi.
Ai thekson se për faktorin shqiptar në rajon, kjo ndërhyrje ishte shumë më tepër se një operacion ushtarak; ishte një kthesë historike që konfirmoi të drejtën për të jetuar të lirë dhe në paqe.
Sipas tij, Kosova dhe institucionet e saj demokratike janë sot garancia më e fortë se vendimi i marrë 27 vite më parë ishte i duhuri, ndërsa përkushtimi i saj për t’u rritur përkrah aleatëve e bën të meritojë vendin e saj në arkitekturën euroatlantike.
Nufi nënvizon se kjo ngjarje mbetet një kujtesë e fuqishme se paqja nuk është e dhënë, por kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Ai shton se NATO vijon të jetë garantuesi më i madh i sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm në Ballkan, por në mbarë botën, duke mbrojtur vlerat e lirisë, dinjitetit dhe drejtësisë.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj ndaj Aleancës. Kontributi ynë në misionet paqeruajtëse dhe në mbrojtjen kolektive është shprehje e qartë e këtij angazhimi dhe e bindjes sonë se siguria është përgjegjësi e përbashkët,” thekson ministri i Mbrojtjes.
Në përfundim, ai apelon për unitet dhe solidaritet, duke theksuar se vetëm të bashkuar mund të garantohet që tragjedi të tilla ndaj jetës, paqes dhe vlerave perëndimore të mos përsëriten më kurrë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




