Ministri Lamallari: Masa ndëshkuese për parakalimet e gabuara. Policia monitoron me teknologji moderne

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar masa të forta ndaj drejtuesve të mjeteve që kryejnë parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë.

Në një deklaratë publike të shoqëruar me video të shpërndara në rrjetet sociale, ku shfaqen raste konkrete të shkeljeve në akse të ndryshme rrugore, Lamallari theksoi se Policia e Shtetit nuk do të tolerojë sjellje të tilla.

“Drejtuesit e mjeteve që ndërmarrin veprime të rrezikshme nuk do të tolerohen dhe do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. Nëse mendoni se mund t’i fshiheni efektivëve të rrugores, syrit të pagabueshëm të teknologjisë nuk mund t’i shpëtoni sidoqoftë,” u shpreh ministri.

Lamallari nënvizoi se çdo gabim në timon mund të ketë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë dhe sjellje të tilla të rrezikshme do të ndëshkohen,” tha ai, duke apeluar për më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e mjeteve.

Policia e Shtetit, përveç pranisë së patrullave në terren, po përdor teknologji bashkëkohore për monitorimin e qarkullimit rrugor. Kjo i mundëson identifikimin e shkeljeve në kohë reale dhe marrjen e masave të menjëhershme ndaj drejtuesve të papërgjegjshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme