Ministrja Sala inspekton Spitalin Rajonal të Beratit: Rrisim diversitetin e analizave laboratorike

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e Spitalit Rajonal të Beratit, duke u ndalur kryesisht në laboratorin e ekzaminimeve, ku vlerësoi garantimin pa ndërprerje të shërbimeve diagnostikuese.
Në bisedë me mjekët laborantë, ministrja Sala tha se rritja e rasteve, veçanërisht e sëmundjeve kronike, ka sjellë një volum më të madh analizash, që shpesh tejkalon kapacitetet e planifikuara. Megjithatë, ajo theksoi se ekzaminimet laboratorike ofrohen çdo ditë dhe pa ndërprerje, me prioritet për rastet urgjente.
Duke u ndalur te ekzaminimet laboratorike, ministrja Sala theksoi se po punohet për zgjerimin e gamës së analizave, në bashkëpunim me mjekë specialistë dhe ekspertë, mbi bazën e të dhënave të mbledhura. Ky zgjerim përfshin edhe treguesit molekularë, të cilët luajnë një rol kyç në zhvillimin dhe aplikimin e terapive inovative.
Spitali Rajonal i Beratit po kalon një fazë rikonstruksioni të disa shërbimeve në bllokun operator me qëllim përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët. Paralelisht, stafi vazhdon të garantojë kujdes të pandërprerë në të gjitha shërbimet mjekësore dhe ekzaminimet labotarike duke përballuar me profesionalizëm fluksin e pacientëve.
Investimet në infrastrukturë dhe forcimi i shërbimeve reflektojnë përkushtimin e Shqipërisë për një sistem shëndetësor europian, ku cilësia, aksesit dhe trajtimi i barabartë për çdo qytetar harmonizohen me standardet e BE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




