Demo: Unifikim kombëtar të rregullave për menaxhimin e hapësirave publike

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka njoftuar miratimin e rregullores për përdorimin e hapësirave publike, e cila synon të garantojë mundësi për zhvillimin e subjekteve tregtare, por edhe zgjidhjen e problematikave për të liruar hapësirat për qytetarët.

Sipas ministrit, kjo rregullore do të sjellë unifikim në të gjithë vendin për mënyrën se si do të përdoren hapësirat publike, ndërsa bashkitë do të kenë specifika të caktuara për shfrytëzimin e tyre.

“Kemi miratuar rregulloren për përdorimin e hapësirave publike. Garantojmë mundësi për zhvillimin e subjekteve tregtare, por edhe zgjidhjen e problematikave për qytetarët. Do të ketë unifikim në të gjithë vendin për rregullat se si do të përdoren hapësirat publike dhe bashkitë kanë specifikat e caktuara se si mund t’i shfrytëzojnë. Kjo do të krijojë një platformë të re për sa i përket menaxhimit të hapësirave publike në territor”, tha Demo.                      

Ministri foli edhe për “Paketë e Maleve”, ku bëri të ditur se 4 bashki të reja, Kuçovë, Sarandë, Gramsh dhe Tropojë, kanë miratuar zonat prioritare.

“Lidhur me paketën e maleve, janë 4 bashki të reja që kanë miratuar zonat prioritare: Kuçovë, Sarandë, Gramsh dhe Tropojë. Numri i aplikimeve në territor ka kapur mbi 500 aplikime dhe do të kemi bashki të reja në vijim për zonat prioritare për zhvillimin ekonomik lokal në bashkitë e tyre”, tha ai.

I pyetur për Reformën Territoriale, ministri Demo bëri të ditur se në mbledhjen e grupit janë diskutuar modele të ndryshme por ende nuk ka një qëndrim përfundimtar

“Në mbledhjen e grupit janë diskutuar modele të ndryshme. Nuk ka një qëndrim nga PS, por ne besojmë se duhet të ecim përpara me procesin dhe të gjithë po analizojnë modelet e ndryshme. Nuk ka një qëndrim përfundimtar, por diskutimi në parim është që kjo reformë duhet të mbështetet”, u shpreh Demo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme