“Territorialja” – Biturku: Qasja të jetë ndaj qytetarit dhe shërbimeve, jo vetëm interesit elektoral. Defektet e reformës së 2014 po shfaqen sot
Eksperti i Pushtetit Vendor, Tauland Biturku, në një intervistë për RTSH 24 ka analizuar debatin mbi reformën territoriale, duke e cilësuar atë si një nga diskutimet më të rëndësishme për zhvillimin dhe qeverisjen e vendit.
Ai theksoi se debati për reformën territoriale nuk duhet të kufizohet vetëm tek hartat administrative, por tek filozofia e ofrimit të shërbimeve sa më pranë qytetarëve.
“Debati për reformën territoriale është një nga diskutimet më të rëndësishme për zhvillimin dhe qeverisjen e vendit dhe nuk është një diskutim vetëm për hartat administrative. Ajo përball dy filozofi të ndryshme që u qasën në vitin 2014 dhe vazhdojnë edhe sot. Filozofia që mbrohet nga PS mbron modelin e konsolidimit territorial dhe, sipas kësaj qasjeje, njësitë vendore duhet të jenë të mëdha, sepse të tilla janë më të forta dhe më të afta për të përballuar sfidat e zhvillimit. Ideja themelore është se fragmentimi mund të krijojë dobësi institucionale.
Nga ana tjetër kemi filozofinë e PD, e cila kërkon një hartë më të fragmentuar, pasi duke qenë njësi më të vogla ato janë më afër qytetarëve dhe më afër nevojave të tyre. Si pasojë, sipas PD, reforma aktuale ka shkaktuar shkëputje nga qytetari drejt institucioneve”, tha Biturku.
Biturku theksoi se reforma e vitit 2014 u realizua pa konsensus të gjerë politik dhe pa diskutim publik, duke sjellë defekte që sot janë të dukshme dhe ka sjellë nevojën për ndryshimin e saj.
“Në reformën e vitit 2014, opozita nuk mori pjesë në reformën territoriale dhe i dha mundësi PS-së që ta realizonte e vetme. Kjo reformë synonte rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe forcimin e njësive vendore, por rezultati në praktikë nuk ishte ky. Të gjitha këto defekte janë shfaqur tani. Problemi themelor i reformës territoriale në vitin 2014 është se u bë pa diskutim publik, pa konsensus të gjerë politik dhe pa një proces të detajuar ku të ishin të gjithë aktorët dhe faktorët pjesëmarrës. Një reformë territoriale ndikon drejtpërdrejt në shumë drejtime të jetës publike dhe asaj politike, si dhe ndikon edhe në rezultate zgjedhore. Kjo reformë ose duhet bërë nga fillimi, ose duhet të korrigjohet totalisht, pasi është çështje qasjeje dhe filozofie”, u shpreh ai.
Sipas ekspertit, centralizimi i shërbimeve ka sjellë largimin e tyre nga qytetarët, duke ndikuar edhe në shpopullimin e fshatrave. Ai solli shembuj nga fusha e arsimit dhe shëndetësisë, ku shërbimet janë larguar nga zonat lokale, duke rritur kostot dhe duke ulur efikasitetin.
“Për shembull, shumë shërbime u larguan pas ndarjes me 61 bashki. Një nga fushat është arsimi, ku në Kavajë ka një apo dy objekte të arsimit profesional dhe ato nuk janë efikase. Në shëndetësi, dikur nëpër fshatra kishte ambulanca të shërbimit parësor, ndërsa bashkisë Kavajë i është shkëputur ky shërbim dhe është bashkuar me spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërkohë që afërsia është me Tiranën. Shërbimet administrative, që ofrohen në zyrat e shtetit si ato kadastrale, taksat, ujësjellësi etj. edhe pse një pjesë janë online, kërkojnë ende kontakt fizik. Këto shërbime janë larguar nga qytetarët dhe PD mendon se sa më afër të jetë shërbimi me qytetarin, aq më i prekshëm dhe funksional është ai.
Një nga pasojat është shpopullimi i vendit, dhe reforma territoriale e vitit 2014 ka ndikuar gjithashtu në këtë proces. Në shumë fshatra, për sa kohë nuk ofrohen shërbime arsimore dhe shëndetësore, qytetarët detyrohen të largohen. Pra, centralizimi i shërbimeve ka sjellë edhe këtë efekt negativ. Po ta shohim nga ana politike, partitë janë të orientuara drejt rezultateve zgjedhore, ndërkohë që qytetari është i interesuar për shërbimet e tij. Bashkia Kavajë, teorikisht, i ka disa shërbime në Tiranë, por shumë zyra janë në Durrës, çka rrit kostot për qytetarët. Për shkak të braktisjes, shumë toka bujqësore në këtë bashki nuk punohen”, tha eksperti.
Biturku shtoi se e rëndësishme nuk është numri i bashkive, por ofrimi shërbimeve te qytetarët edhe nëse vendoset të shkohet me bashki më të mëdha.
“Për mua nuk është i rëndësishëm numri i bashkive, por qasja ndaj shërbimit. Sugjeroj që komisioni të kontaktojë me qytetarët dhe grupet e interesit dhe të ketë një qasje për të ofruar shërbimin sa më pranë tyre, si dhe të vendosë referendumet lokale, e më pas të hartojë një hartë të re me numrin e bashkive,” tha Biturku.
Ai pranoi se modeli i bashkive të mëdha ka avantazhe si administratë më kompetente dhe mundësi financiare më të mëdha, por theksoi se kryefjala duhet të jetë shërbimi ndaj qytetarëve.
“Modeli i bashkive të mëdha ka disa avantazhe, si administratë më kompetente, mundësi financiare më të mëdha dhe investime më të mëdha, por kryefjala nuk duhet të jetë administrata, por shërbimi ndaj qytetarëve. Unë jam partizan i decentralizimit, por për ofrimin e shërbimit sa më pranë qytetarit,” përfundoi eksperti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




