Mbi 450 aplikime për rijetëzimin e kullave. Nis së shpejti faza e ndërhyrjeve në terren, prioritet kullat monument kulture

Aktualitet | 7 muaj më parë

Mbi 450 aplikime janë regjistruar gjatë fazës së parë të programit për rijetëzimin e kullave në zonat veriore të vendit. Projekti bashkëfinancohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve dhe GIZ Albania, me synimin për të rikthyer në funksion këto objekte me vlera të veçanta historike dhe arkitekturore.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, interesi i lartë i banorëve dhe pronarëve të kullave dëshmon potencialin e madh që ka kjo trashëgimi për zhvillimin e turizmit kulturor dhe ekonomik të zonës, si dhe nevojën për ndërhyrje të specializuara restauruese.

“Projekti e tejkaloi pritshmërinë tonë dhe numri i aplikantëve e ka kaluar shifrën e 450. Kjo tregon interesin e lartë për ruajtjen e trashëgimisë”, tha Helidon Sokoli, Drejtues i DRTK Shkodër.

Pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe inventarizimit në terren, pritet të nisë faza e dytë e projektit, ajo e ndërhyrjeve konkrete në objekte. Prioritet do të kenë kullat e certifikuara si monumente kulture, me qëllim ruajtjen e autenticitetit dhe rikthimin e tyre në funksione të reja, kryesisht turistike dhe agroturistike.

“Faza e dytë është përzgjedhja e një grupi të caktuar që për nga rëndësia dhe potenciali do të ndërhyhet për restaurimin e tyre për ruajtjen këtyre kullave”, tha ai.

Rijetëzimi I kullave në veri të vendit synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe zhvillimin e turizmit kulturor dhe malor, duke I kthyer këto objekte në bujtina apo hapësira funksionale për ekonominë lokale

Gazetar: A.Hoti    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme