FSHF përmbyll kursin UEFA B në Elbasan, diplomohen edhe dy kapitenët verdheblu

Federata Shqiptare e Futbollit përmbylli me sukses kursin UEFA B të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, ku u diplomuan trajnerët e rinj, mes tyre edhe futbollistë aktivë dhe ish-futbollistë të njohur.
Mund të veçohen dy kapitenët e Elbasanit, Bruno Lulaj dhe Emiljano Musta, të cilët janë pajisur me licencën UEFA B pa e mbyllur karrierën si futbollistë. Lulaj është jashtë skuadre për momentin për shkak dëmtimi. Janë diplomuar po ashtu edhe Elvis Kotorri e Orges Gava, pjesë e stafit të Elbasanit.
Gjatë këtij kursi, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik, duke u përgatitur në mënyrë profesionale për sfidat e trajningut modern.
Në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave ishin të pranishëm koordinatori për çështjet teknike nga zyra e Presidentit të FSHF-së, Abdyl Kuriu, koordinatori dhe lektori i kurseve në FSHF, Alban Tafaj, si edhe kryetari i Shoqatës Rajonale të Elbasanit, Ilirjan File. Për zonën e Elbasanit, ky ishte kursi i dytë UEFA B, një mundësi shumë e vlefshme për zhvillimin profesional të trajnerëve të rinj.
Gjatë aktivitetit foli edhe koordinatori dhe lektori i kurseve në FSHF, Alban Tafaj, i cili vlerësoi nivelin dhe përkushtimin e kursantëve gjatë gjithë programit të trajnimit. “Erdhëm në momentin vendimtar të diplomimit të gjithë kursantëve të UEFA B. Vazhdon projekti i FSHF, ku licenca shkon te trajneri, jo trajneri te licenca.
Në projektin tonë në të gjithë zonat që mbulojmë me UEFA B, ky është kursi i dytë i zhvilluar në këtë nivel. Ishin përfaqësues të klubeve, trajnerë në terren dhe futbollistë profesionistë që do t’u shërbejë, me përfundimin e karrierës futbollistike, në vazhdimësinë e tyre për të ndjekur rrugën e bukur dhe të rëndësishme të trajnimit”, – tha Alban Tafaj.
Prej vitesh, Federata e Futbollit vijon të dëshmojë përkushtim në zhvillimin e brezit të ri të trajnerëve, duke organizuar kurse kualifikuese në të gjithë vendin dhe duke kontribuar në rritjen e standardeve të futbollit shqiptar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




