Një udhëtim në Iran, ku jeta e përditshme sfidon hijet e luftës

Nga Francisco Seco | Associated Press
Gjatë një udhëtimi 12-orësh me makinë nëpër Iran, bëhet i dukshëm një kontrast i fortë dhe surreal. Nga njëra anë janë qendrat e dëmtuara nga sulmet ajrore dhe tabelat e mëdha që premtojnë hakmarrje; nga ana tjetër, skenat e qeta të një jete të përditshme që refuzon të ndalet, pavarësisht sfondit të rëndë të luftës dhe ankthit.
Gjatë rrugës nga kufiri turk në drejtim të thellësisë së vendit, pamjet e jetës normale janë të kudondodhura. Në një stacion kamionësh, familjet shihen duke ngrënë një mëngjes të qetë. Në një restorant buzë rrugës, klientët – përfshirë gra që kanë hequr shaminë e detyrueshme – shijojnë mishin e pjekur në skarë dhe pijet me shafran, ndërsa në sfond dëgjohet kënga “Losing My Religion” e grupit R.E.M. Madje, mes maleve të mbuluara me borë, globalizimi shpërfaqet përmes një kamioni mallrash që mban logon e “Nike” në dyert e pasme.
Këto pamje vijnë pas pesë javësh sulmesh të rënda ajrore që kanë lënë gjurmë të thella shkatërrimi, veçanërisht në kryeqytetin e vendit, Teheran. Megjithatë, përgjatë autostradave të gjata dhe qyteteve të ndërmjetme, shenjat e jashtme të konfliktit që ka mbërthyer Lindjen e Mesme janë çuditërisht të rralla. Dyqanet mbeten të hapura, tregtia vazhdon dhe trafiku shpesh është i bllokuar në orët e pikut.
Në pikën kufitare të Razit, vizitorët priten nga portrete të mëdha të Udhëheqësit Suprem të vrarë, Ajatollah Ali Khamenei, të rrethuara me slogane të zjarrta. Pak më tutje, një bari kullot qetësisht kopenë e tij të deleve, duke krijuar një peizazh që duket i ngrirë në kohë.
Përplasja e drejtpërdrejtë me realitetin e luftës vjen rreth gjashtë orë pas nisjes, në qytetin e Zanjanit. Aty, një qendër komunitare fetare (husseiniyah) mban shenjat e freskëta të një sulmi ajror të ndodhur pak ditë më parë. Sipas zyrtarëve iranianë, sulmi shkatërroi një klinikë dhe një bibliotekë duke lënë dy civilë të vdekur, ndërkohë që ushtria izraelite pretendoi se kishte goditur një seli ushtarake.
Teksa udhëtimi i afrohet Teheranit pas mesnate, atmosfera ndryshon sërish. Rrugët e mbushura gjatë ditës i lënë vendin bulevardeve të boshatisura. Kalimi pranë ndërtesave qeveritare të bombarduara dhe pikave të shumta të kontrollit të Gardës Revolucionare dhe forcave Basij – bastione të Republikës Islamike që kanë qenë vazhdimisht në shënjestër – shërbejnë si një kujtesë e ftohtë se, pavarësisht rezistencës së përditshmërisë, vendi mbetet në qendër të një stuhie të dhunshme.















/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




