Euroliga në RTSH: Olimpiakos mposht Realin dhe rrëmben kreun

Basketboll | 7 muaj më parë

Olimpiakos ka fituar klasiken me Real Madrid me një dominim kolosal, 102-88 por duke arritur gjatë ndeshjes deri në 21 pikë diferencë. Ndeshja nisi menjëherë mirë për vendasit teksa u shkëputën menjëherë 13-2 që në aksionet e para.

Real Madrid mundi të reagojë dhe perioda e parë u kthye në ekuilibër. Kur Olimpiakos nisi të kryejë rotacion në periodën e dytë, Real Madrid pati një parcial të thellë dhe të rrallë 18-0 ku nga -15 pikë ja doli që të merrte avantazhin. Ishte një avantazh i përkohshëm deri në 7 pikë për spanjollët, por Olimpiakos sërish e mori lojën nën kontroll edhe pse me pak pikë.

Në periodën e tretë Olimpiakos shpërthen në një moment me 3 trepikësha rresht me anë të Dorsit dhe Vezenkov dhe e kthen sërish në avantazh dyshifror. Që aty nuk ka më kthim pas. Në përfundim të periodës së tretë Olimpiakos ka dy lojtarë me mbi 20 pikë në shënim dhe një avantazh që i jep siguri deri në fund.

Në periodën e katërt për disa minuta qëndron diferenca me 19 pikë e më pas 21 pikë dhe këtu Real Madrid dorëzohet. Luhet më pas vetëm për pikavarazh teksa Real Madrid e kishte mundur në tetor me 12 pikë diferencë dhe Olimpiakos arrin ta ruajë deri në fund këtë shkëputje duke e mbyllur me +14.

Por e veçante ishte performanca e Dorsey me 37 pikë, me 7 trepikësha të shënuar dhe Vezenkov me 26 pikë. Olimpiakos me këtë fitore merr kreun i vetëm pasi Fenerbahce u mund dhe Real Madrid nga vendi i tretë zbret në vend të pestë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme