Botërori 2027 për vajza/Kombëtarja mposhtet nga Uellsi

Kombëtarja e vajzave e Shqipërisë u mposht me rezultatin 4-0 nga Uellsi në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e kësaj të marte në stadiumin “Stok Rae Cas” në Wrexham, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2027.
Trajneri Armir Grima e nisi takimin me këtë formacion titullar: Rajmonda Spahiu (GK), Klea Hamonikaj, Arbiona Bajraktari, Leonora Dedgjonaj, Armera Tukaj, Arbenita Curraj, Mikaela Metalla, Ezmeralda Franja, Ilaria Zarka, Megi Doçi dhe Fortesa Berisha.
Takimi nisi me ritëm të lartë, me minutat e para të luftuara nga të dyja skuadrat dhe me përfaqësuesen kuqezi që tregoi angazhim maksimal në çdo duel. Vendaset kaluan në avantazh në minutën e 15-të me golin e shënuar nga Cain, ndërsa dyfishuan shifrat në minutën e 35-të. Pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të Uellsit.
Në pjesën e dytë, Uellsi realizoi golin e tretë që në fillim falë Roberts. Vendaset shënuan edhe golin e katërt në minutën e 55-të, duke vulosur përfundimisht rezultatin e takimit.
Pavarësisht rezultatit, skuadra shqiptare tregoi përkushtim dhe shpirt gare përgjatë gjithë ndeshjes.
Shqipëria do të rikthehet sërish në fushë ndaj Uellsit më 18 prill në stadiumin “Elbasan Arena”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




