Racizmi dhe gjuha e urrjejtjes, nga ligji në praktikë, diskutime në Kuvend për forcimin e kuadrit ligjor dhe zbatimin në praktikë

Aktualitet | 7 muaj më parë

Racizmi dhe gjuha e urrejtjes mbeten një shqetësim në vend, dhe pavarësisht kuadrit ligjor ekzistues, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë.

Për kryetaren e Komisionit të të Drejtave të Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik, deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ligjet ekzistojnë, por nuk sjellin efekt të plotë pa zbatim real, duke e lidhur këtë proces me integrimin europian të vendit.

“Fokus mbetet ndryshimi në jetën reale, jo vetëm raportet. Sado të forcojmë kuadrin ligjor, nëse nuk zbatohet në praktikë, do të mbetet në letër. Duhet forcim i kuadrit ligjor dhe rruga duhet ndjekur në lidhje me grupkapitujt e parë të negociatave”, tha Tabaku.

Në tryezën e parë të zhvilluar në Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe Mjeteve të Informimit Publik, në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në vendin tonë, në lidhje me forcimin e legjislacionit dhe përafrimin me standardet europiane, nënkryetarja e Kuvendit, socialiste Iris Luarasi, theksoi si shqetësim mungesën e besimit të qytetarëve te institucionet, pavarësisht përpjekjeve për ndërgjegjësim.

“Shumica e qytetarëve, kur pyeten nëse do të kërkojnë ndihmë, thonë se askush nuk interesohet. Kjo duhet të na shqetësojë, sepse kemi punuar për ndërgjegjësim, por jo për ndërtimin e besimit”, tha Luarasi.

Në studimin e fundit të Këshillit të Europës, të kryer në vitin 2025, gjashtë në dhjetë qytetarë në vendin tonë besojnë se gjuha e urrejtjes është e përhapur, ndërsa shtatë në dhjetë mendojnë se ajo është shtuar në vitet e fundit, sidomos në rrjetet sociale, portale dhe debate televizive.

I njëjti studim tregon se 97% e qytetarëve janë njohur me termin “gjuha e urrejtjes”, çka tregon rritje të ndërgjegjësimit publik krahasuar me vitet e mëparshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme