I dënuar me 18 vite burg për vrasje në Sarandë, arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari

Një shqiptar, i cili kërkohej ndërkombëtarisht për vrasje është arrestuar në Belgjikë me qëllim ekstradimin në vendin tonë.
Në pranga përfundoi Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë, pasi në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Në korrik të vitit 2017, në fshatin Borsh të Sarandës, një konflikt për motive të dobëta përfundoi tragjikisht. Gjatë ngjarjes, 29-vjeçari Nasi Hodo, së bashku me dy persona të tjerë, vrau me thikë shtetasin P. B., plagosi rëndë E. M., si dhe më pas rezultoi autor i plagosjes së shtetasit D. K.. Për këto veprime, Gjykata e Vlorës e dënoi në vitin 2019 me 18 vite burgim për vrasje me dashje në bashkëpunim, vrasje të mbetur në tentativë dhe plagosje të lehtë me dashje.
Pas disa vitesh në arrati, Hodo u lokalizua dhe u arrestua në Belgjikë falë bashkëpunimit mes FAST Albania, autoriteteve belge dhe rrjetit ENFAST, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Nasi Hodo në Shqipëri, me qëllim kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit, 13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




