Orban mungon në takimin e BE-së, Samiti i 23-24 prillit do të ishte i fundit për kryeministrin në largim të Hungarisë  

Botë | 7 muaj më parë

Zyrtarë në Bruksel bënë me dije se kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orban do të mungojë në takimin informal të Këshillit Evropian që mbahet më 23-24 prill në Qipro.

Orban pësoi humbje të thellë në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, të cilat i dhanë fund mandatit të tij 16-vjeçar si kryeministër.

Ai ishte planifikuar të merrte pjesë në takimin dyditor, gjatë të cilit liderët e vendeve anëtare do të diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme dhe buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut.

Udhëheqësi nacionalist do të qëndrojë si kryeministër i përkohshëm i vendit derisa rivali i tij Peter Magyar të marrë pushtetin në muajin maj. Në përputhje me rregullat e Këshillit Evropian, Orban do të përfaqësohet në takim nga një udhëheqës tjetër i një vendi anëtar.

Aleati i tij, kryeministri sllovak Robert Fico, ka gjasa ta marrë këtë rol. Deri në humbjen e tij të dielën, Orbán ishte anëtari më jetëgjatë i Këshillit Evropian, duke marrë pjesë në takime të shumta që nga marrja e detyrës në vitin 2010.

Vendimi i tij për të mos marrë pjesë në takimin e Qipros do të thotë se samiti i tij i fundit ishte ai i marsit, ku ai u kritikua ashpër për veton ndaj kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Gjatë atij samiti, Presidenti i Këshillit Antonio Costa tha se sjellja e Orban ishte krejtësisht e papranueshme. Sipas traditës në samitet e Bashkimit Evropian, liderët që largohen përcillen nga kolegët shpesh me një dhuratë simbolike.

Ky gjest shërben si vlerësim për kontributin e tyre në proceset vendimmarrëse të BE-së dhe si një lamtumirë institucionale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme