Rama ndan video nga takimi me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Më e mira është e gjitha përpara

Politikë | 6 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga takimi i tij me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, gjatë vizitës në Abu Dabi.

Në mesazhin shoqërues, Rama e ka cilësuar takimin si “vëllazëror” dhe ka theksuar frymën e bashkëpunimit dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen. 

“Abu Dabi, Takimi sot me mikun e shtrenjtë, Presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed, ishte vëllazëror dhe me bindjen e fortë se për paqedashësit e ndërtuesit vullnetmirë të së ardhmes, më e mira është e gjitha përpara”, shkroi Rama krahas videos së publikuar në rrjetet sociale. 

Kryeministri nënvizoi se diskutimet u zhvilluan me bindjen e fortë se për “paqedashësit dhe ndërtuesit vullnetmirë të së ardhmes, më e mira është përpara”, duke e cilësuar Presidentin e Emirateve si një mik të shtrenjtë dhe partner të besueshëm. 

Qëllimi i kësaj vizite, siç theksoi një ditë më parë kreu i qeverisë, është shprehja e drejtpërdrejtë e solidaritetit vëllazëror me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Presidentin Sheikh Mohammed Bin Zayed.

Takimi vjen në kuadër të marrëdhënieve në rritje të vazhdueshme mes Shqipërisë dhe Emirateve, të cilat vitet e fundit kanë njohur bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë investimet dhe zhvillimin ekonomik. 

Kjo vizitë zhvillohet në një periudhë të trazuar për rajonin e Gjirit Arabik.

Përmes mesazhit të tij në rrjetet sociale, Kryeministri theksoi mbështetjen për vendet mike, duke mbajtur një qëndrim të qartë ndaj zhvillimeve të fundit dhe duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për paqe dhe bashkëpunim në rajon.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme