Deklaratat e Trump, Irani paralajmëron përgjigje vendimtare ndaj çdo veprimi të ri armiqësor

Forcat e armatosura të Iranit janë të gatshme të japin një “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare” ndaj çdo veprimi të ri armiqësor nga kundërshtarët e tyre, deklaroi komandanti i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, Ali Abdollahi, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim News Agency.
Ai tha se Teherani ka epërsi ushtarake, përfshirë edhe në kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, dhe nuk do të lejojë që Donald Trump të “krijojë narrativa të rreme mbi situatën në terren”.
Edhe pse Irani e hapi përkohësisht ngushticën e Hormuzit të premten, ai e mbylli sërish të shtunën (të paktën për vendet që i konsideron “armiqësore”), pasi SHBA nuk hoqi kundër-bllokadën e saj.
Komentet e komandantit vijnë pasi kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili pritet të drejtojë delegacionin iranian nëse zhvillohen bisedime paqeje në Pakistan, deklaroi se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në negociata ndërkohë që është nën kërcënim. Ai paralajmëroi gjithashtu se Irani është “i gatshëm të zbulojë karta të reja në fushën e betejës”.
Nga ana tjetër, Donald Trump, i cili e konsideron rikthimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit në nivelet para luftës si prioritet, ka kërcënuar se do të rifillojë bombardimet nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda afatit të së mërkurës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




